Flash News

Ditari i Maxhorancës

“U vra apo s’u vra”, Rama kritika policisë për Ervis Martinajn: T’i jepet fund këtij seriali, është bërë si Big Brother

“U vra apo s’u vra”, Rama kritika policisë për Ervis

Kryeministri Edi Rama ka kritikuar Policinë e Shtetit për rastin e të shumëkërkuarit Ervis Martinaj, i cili prej më shumë se një muaj është zhdukur në mënyrë misterioze.

Ndërsa në media diskutohet që prej 10 gushtit se Martinaj mund të jetë rrëmbyer dhe ekzekutuar ose ka inskenuar vetë ngjarjen, Rama tha se rasti i Martinajt, (ndonëse nuk i përmendi emër) është kthyer si Big Brother në ekranet shqiptare nëse është vrarë apo jo, dhe për këtë bëri përgjegjëse policinë.

“Çfarë ka ndodhur në këtë gusht duhet të shërbejë si shuplakë, dhe të na ngrejë në këmbë drejt objektivave më ambiciozë për Policinë e Shtetit. Si është e mundur që Policia e Shtetit akoma sot nuk e ka një përgjigje, për fatin e njërit prej profileve më të larta të krimit të organizuar në Shqipëri.

Është e papranueshme që për javë të tjerë ekranet shqiptare janë bërë si BB i kronikës së zezë, jo u vra jo nuk u vra ai që ishte i shumëkërkuar nga Drejtësia, dhe çfarë nuk dëgjojnë njerëzit, lloj lloj legjendash me luanë, bamirës, oligarkë, shto ujë e shto miell si një serial absurd për një nga figurat më të zeza të botës së krimit shqiptar dhe Policia e Shtetit nuk di ta thotë ore u vra apo nuk u vra, kush e ka penguar ta thotë.

Drejtori i ri i policisë së shtetit që merr sot detyrën duhet të sigurohet që kjo dilemë të marrë fund sa më parë, nëse i kërkuari është vrarë t'i thuhet publikut që është vrarë, nëse nuk është vrarë të kapet dhe ti jepet drejtësisë”, tha Rama.

Të fundit