Flash News

Ditari i Maxhorancës

Vendimi i ‘Kushtetueses’ për ’30 qershorin’, Gjiknuri: Bojkoti i opozitës, gabim trashanik. Meta bëri shpikje juridike

Vendimi i ‘Kushtetueses’ për ’30 qershorin’,

Gjykata Kushtetuese certifikoi zgjedhjet njëpartiake të 30 qershorit, duke rrëzuar padinë e Shoqatës së Bashkive e kryesuar nga kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi. 

Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri ka deklaruar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese e cila certifikoi zgjedhjet e 30 qershorit se ky vendim vulosi stabilitetin demokratik në vend. 

I ftuar në 'Çim Peka Live' në Syri Tv, Gjiknuri e quajti gabim trashanik vendimin e opozitës për të bojkotuar zgjedhjet. 

Ndërsa lidhur me zhdekretimin nga Meta të 30 qershorit, Gjiknuri tha se kjo ishte shpikje juridike e kreut të shtetit.   

Damian Gjiknuri: Ky vend prandaj e ka ngritur Gjykatën Kushtetuese në mënyrë që edhe këto pyetje të vështira të marrin zgjidhje. Fakti që nuk ekzistonte organi nuk mund t'i japë të drejtë një organi tjetër siç është Presidenti që të bënte një shpikje juridike. 

Çim Peka: Këtë e thoni ju, por shqiptarët panë që një president i votuar prej jush që tha se nuk ka datë zgjedhjesh...

Damian Gjiknuri: Presidenti mund të mendojë ç'të dojë sikur përfaqëson të gjithë shqiptarët. Kishte një dekret, kishte një pretendim, dhe vendimi i fundit i Kushtetueses jo vetëm e zgjidhi, por për mua ky është një vendim kilometrik i drejtësisë shqiptare sepse krijon stabilitet në demokraci. Sanksionon se institucioni i zgjedhjeve është shumë i shenjtë. Në zgjedhje ka një datë, data mund të shtyhet nëse ka konsensus dhe hapësirë kushtetuese siç u bënë në vitin 2017. 

Çim Peka: Në ditën kur u zhvilluan zgjedhjet nuk kishte Gjykatë Kushtetuese. Kryetari i shtetit u tha shqiptarëve se nuk ka datë zgjedhjesh. Një pjesë e popullsisë justifikohen me argumentin dhe nuk e ushtruan të drejtën e votës sepse s'kishte zgjedhje sipas kryetarit të shtetit. Si mund të jenë legjitime?

Damian Gjiknuri: Pse nuk e kuptoi presidenti ligjin ça faji kanë shqiptarët thua ti? Ata shqiptarë që e kuptuan shkuan në votim.

Si mund të merret peng demokracia se dikush lajthiti dhe nuk kuptoi mirë ligjin. Ne kemi raste në Shqipëri, edhe më përpara janë shtyrë zgjedhjet dhe janë bërë me marrëveshje politike brenda hapësirës kushtetuese. Jo kur i teket njërit që meqë njëra palë bojkoton, ky ishte një gabim trashanik politik, ju e dini shumë mirë. 

Të fundit