Flash News

Ditari i Maxhorancës

"Vija e kuqe", Rama-socialistëve: Ta keni të qartë, drejtoritë s'janë pronë e PS. Flet mbi akuzat për pazare

"Vija e kuqe", Rama-socialistëve: Ta keni të qartë,

Kryeministri Edi Rama mblodhi sot Kryesinë e PS. Në përfundim të saj, Rama dha një prononcim për gazetarët, ku bëri me dije "porositë" që iu kishte dhënë socialistëve, por iu përgjigj dhe pyetjeve që lidhen me aktualitetin politik.

Mesazhi kryesor i tij ishte "vija e kuqe" për punësimet partiake në administratë. Rama deklaroi se drejtoritë nuk janë pronë e PS, teksa iu bëri të qartë socialistëve të mos e përdorin administratën.

Për këtë të fundit, ai tha se synon ta çojë në një tjetër nivel sa i përket qasjes me publikun. Kryeministri vuri theksin dhe të shërbimet që ofrohen.

“Për një proces tjetër të ri transformimi të brendshëm dhe hapjeje dhe në bazë të disa vendimeve puna në territor do zhvillohet paralelisht. Për analizat e rezultateve qendër për qendër, për të verfifikuar cilësinë e përfshirjes të gjithë anëtarëve të PS në zgjedhje në raport me rezultatet dhe për ta hapur partinë për prurje të reja nga shoqëria, pavarësisht moshës, për të krijuar një bazë të re për te ecur më tutje.

Ajo që do nënvizoja si shumë të rëndësishme nga kjo mbledhje është që një vijë e kuqe e cila është vendosur fort në Kongresin e Partisë dhe do të thellohet, është se punësimet dhe drejtoritë nuk janë pronë e PS, janë pronë e popullit shqiptar dhe janë funksion i qeverisë dhe i gjithë strukturave ekzekutive të Republikës së Shqipërisë, bazuar në Kushtetutë dhe ligj.

Ta kenë të gjithë të qartë, kjo nuk është propagandë, kjo është vija ndarëse që do na garantojë kalimin në një nivel tjetër të cilësisë dhe qasjes së administratës në raport me publikun. Nëse në shërbimin civile kemi garantuar tanimë që proceset e rekrutimeve kalojnë në kanale ligjore përmes konkurseve të Departamentit të Administratës Publike, në pjesën tjetër të administratës kemi një problematikë serioze të trashëguar në 30 vjet, por duhet ta qasim me forcë dhe vendosmëri”, tha Rama.

I pyetur për një pazar mes PS dhe PD për zgjatjen e afateve të organeve të drejtësisë, kryeministri tha se është domosdoshmëri për të pastruar "llumin" në sistem. Rama shtoi se nuk ka nevojë për negociata kur bëhet fjalë për Reformën në Drejtësi, duke theksuar se s'ka kthim pas.

"Zgjatja e mandateve të organeve të vettingut është një domosdoshmëri, e cila vjen si rezultat i një procesi që e ka treguar sesa i vyer që është për pastrimin e llumit nga sistemi i drejtësisë dhe për të nxjerrë në pah njerëzit me integritet dhe ky proces nuk mund të ndërpritet. 

Reforma në Drejtësi është një Reformë në partneritet me partnerët tanë ndërkombëtar dhe besoj se vija është shumë e ndarë. Reforma në Drejtësi nuk është diçka për t’u negociuar është diçka për t'u kryer. S’ka kthim mbrapa as qëndrim në vend numëro. Kush i bie ndesh interesave të Reformës në Drejtësi i bie ndesh vendit dhe aleatëve ndërkombëtar", tha Rama.

Ky i fundit u ndal sërish te deklarata e djeshme që shkaktoi shumë reagime, që Shqipëria do të çojë satelitë në orbitë. Ai e pohoi sërish dhe tha se ka objektiv forcimin e kontrollit në të gjithë territorin.

"Shqipëria do të ketë satelitë dhe do ketë shpejt për të forcuar kontrollin mbi të gjithë territorin e saj në të gjithë aspektet. Do të ketë dhe dronë inteligjentë që do na ndihmojnë për ta çuar vendin në një nivel tjetër në aspektin e administrimit të territorit.

Janë mjete të një teknologjie të re që garantojnë kontrollin e territorit për shumë gjëra, që nga kufijtë, ndërtimet, monitorimi për informacionet që duhen në luftën kundër trafiqeve, për të mbjellat e bujqësisë dhe për të luftuar krimin e organizuar duke patur kapacitete monitoruese të paimagjinueshme. Nuk do bëjmë asgjë që ndodh për herë të parë në Shqipëri, vende të tjera të zhvilluara e bëjnë", tha Rama

Të fundit