Flash News

Ditari i Maxhorancës

Xhaçka flet për sulmin në Kiev: Kontaktuam me shqiptarët në Ukrainë, janë pak familje

Xhaçka flet për sulmin në Kiev: Kontaktuam me shqiptarët

Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka e ka cilësuar ofensicën e nisur nga Rusia mbi Ukrainën, fushatë me sajesa e lajme të rreme për të justifikuar aktin që u ndërmor sot.

Në një lidhje direkte për studion e “Open”, Xhaçka u shpreh se ajo që nisi sot është më tepër se sa një sulm rus.

“Është e rëndë që në vitin 2022 të zhvillohet një luftë e tillë, pa asnjë arsye. Pavarësisht investimeve që ka bërë ushtria ukrainase është përballë një ushtrie të fuqishme, ndër më të fuqishmet në botë. Nuk ka pasur një sulm të Ukrainës ndaj Rusisë, as ndaj republikave popullore të Doneskut. Kjo është fushatë ruse me sajesa e lajme të rreme që donin të justifikonin këtë akt. Eshtë më tepër se një sulm rus”, tha Xhaçka.

Ministrja nuk është dakord që sulmi të konsiderohet një luftë botërore që nis me Ukrainën.

“S’do e thoja këtë, por është një luftë kundër të gjithë sistemit që ka ngritur Europa sot. Prandaj dhe Shqipëria ka mbështetur sovranitetin e Ukrainës dhe kjo është në respekt të kartës së OKB-së”, vijoi Xhaçka.

E pyetur nëse do të sulmohet Rusia, Xhaçka tha se do të ketë një koordinim me të gjithë partnerët.

“Ndoshta bota sot ndodhet në prag të një Mynihu të dytë, për të parë nëse vendet e Europës do i hapin rrugë Rusisë apo jo. Nuk flasim për diçka të tillë, por do kordinohemi me të gjithë partnerët. Reagimi i Europës do të jetë shumë i fortë, për ta bërë Rusinë të paguajë”, tha ministrja.

Sa i përket shqiptarëve që ndodhen në Ukrainë, Xhaçka tha se iu janë vënë në dispozicion numrat e kontakteve. “Janë pak shqiptarë atje me familje të krijuar prej vitesh. MEPJ i bëri thirrje të largohen nga Ukraina, vumë në dispozicion numra kontakti për ta”, shtoi ministrja.

Të fundit