Flash News

Ditari i Maxhorancës

Zhvendosja nga Tirana në Korçë, Gjylameti tregon arsyet

Zhvendosja nga Tirana në Korçë, Gjylameti tregon arsyet

Origjina e prindërve të saj nga zona e Mokrës së Pogradecit. Kjo është arsyeja që ka dhënë deputetja e PS-së, Blerina Gjylameti për zhvendosjen e saj nga Qarku i Tiranës në atë të Korçës për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit. 

"Shumë më tepër sesa pozicioni i kandidimit të anëtarëve të caktuar të PS-së, shumë më tepër rëndësi ka patur pjesa e maksimizimit të forcave dhe maksimizimit të mbështetjeve të PS-së. Lëvizja ime nga Tirana për në Qarkun e Korçës ka të bëjë me origjinën time familjare, ku të dy prindërit janë nga Pogradeci dhe posaçërisht nga krahina e Mokrës, ndaj dhe ishte një arsye më shumë për të qenë përfaqësuese e të gjithë qytetarëve të Pogradecit në Kuvendin e ardhshëm."- është shprehur Gjylameti gjatë një interviste për MCN TV. 

Në rast fitoreje të një mandati të tretë për PS-në, Gjylameti tha se do të vijohet me projektet për të lidhur qytetin me malësinë e Pogradecit që mund të bëjnë të mundur zhvillimin e bizneseve që mbështesin turizmin.

"Besoj që gjithkush që ka pasur mundësinë për të ardhur në Pogradec ka pasur mundësinë të shohë mrekullinë që na ka falur natyra, por edhe invesimet në infrastruktura të ndryshme dhe të gjitha ato që kemi bërë në partneritet me biznesin dhe rritjen e punësimit. Ajo që do të vijojë në mandatin e tretë ka të bëjë me projekte të rëndësishme që do ta rikthejnë Pogradecin në një pikë referimi. Do të duhet të vijojmë më tutje për të lidhur qytetin me malësinë e Pogradecit që mund të bëjnë të mundur zhvillimin e bizneseve që mbështesin turizmin. Do të punojmë edhe lidhur me sfidën e uljes së papunësisë. Ajo çfarë kemi bërë në mandatin e dytë është që kemi pasur një vëmendje të shtuar në pjesën makro, në mbështetje të bujqësisë dhe ekonomisë lokale." tha deputetja socialiste.

Në lidhje me renditjen e në listë jofituese të dy emrave me kontribut në PS si Pandeli Majko dhe Fatmir Xhafaj, Gjylameti tha se kjo ka qenë strategji e PS-së për të maksimalizuar votat, por edhe për t’i dhënë më shumë mundësi të rinjve.

"Pothuajse në të gjithë Shqipërinë ka pasur një strategji të tillë për të qenë në kufi, për të maksimalizuar fitoren, por edhe për t’i dhënë më shumë mundësi të rinjve. Në çdo qark ne do të arrijmë maksimumin dhe do të kemi minimalisht 74 mandate në parlamentin e ardhshëm për të vijuar me elementë të tjerë që janë pjesë e programit të PS. Por më shumë ka të bëjë me vizionin tonë për 2030-ën." - u shpreh Gjylameti.

 

Të fundit