Flash News

Ditari i Opozitës

"Krim institucional dhe neglizhencë, të merren masa urgjente"/ Partia e Lirisë kërkon dorëheqje pas helmimit të fëmijëve në Gramsh

"Krim institucional dhe neglizhencë, të merren masa

Partia e Lirisë ka reaguar me tone të ashpra pas ngjarjes së rëndë në Gramsh, ku dhjetëra fëmijë janë helmuar në një kopsht shtetëror, për shkak të ushqimit të ofruar nga një kompani private kateringu.

Në një deklaratë për mediat, Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PL, Arla Merja, e cilësoi këtë ngjarje si "krim institucional", duke akuzuar si autoritetet lokale ashtu edhe ato qendrore për papërgjegjshmëri dhe dështim të thellë në garantimin e sigurisë ushqimore.

“Në një vend ku kontratat publike jepen me mik dhe kontrollet shtetërore për sigurinë janë vetëm në letër, siguria ushqimore është kthyer në një rrezik të përditshëm për qytetarët”, deklaroi Merja, ndërsa theksoi se helmimi i mbi 70 fëmijëve përbën një akt të rëndë që ka tronditur opinionin publik.

Sipas saj, mungesa e reagimit institucional, heshtja e Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Arsimit, si dhe mosveprimi i Prokurorisë, dëshmojnë për një sistem të paralizuar nga klientelizmi dhe mungesa e transparencës.

Partia e Lirisë kërkon:

Hetim të plotë dhe transparent për ngjarjen nga organet e drejtësisë;
Ndërprerje të menjëhershme të kontratës me subjektin privat që ofroi ushqimin;
Dorëheqje të drejtuesve vendorë dhe strukturave përgjegjëse, që kanë dështuar në kontrollin ushqimor;
Rishikim të të gjitha kontratave të ushqimit në çerdhe dhe kopshte publike në mbarë vendin.
“Kjo është pasojë direkte e kapjes së shtetit, e kontraktimeve klienteliste dhe mungesës totale të kontrollit,” përfundoi Merja.

Ngjarja vazhdon të jetë në fokus të opinionit publik, ndërsa pritet reagimi i institucioneve për të vënë përpara përgjegjësisë personat që kanë lejuar këtë skandal.

Të fundit