Flash News

Ditari i Opozitës

"Krim shtetëror", Erisa Xhixho: Pacientët me kancer trajtohen me barna të skaduara

"Krim shtetëror", Erisa Xhixho: Pacientët me kancer

Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, në fjalën e saj nga foltorja e Kuvendit, ka akuzuar qeverinë për gjendjen e rëndë në Spitalin Onkologjik dhe për abuzimet me fondet publike që, sipas saj, duhej të përdoreshin për shëndetësinë.

Ajo është ndalur te raporti i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit, që ka konstatuar mungesë barnash jetike për pacientët me sëmundje tumorale.

“Kontrolli i Lartë i Shtetit ka bërë një raport që do të trondiste çdo qeveri të përgjegjshme, duke skanuar në detaje krimin shtetëror që ndodh sot në Spitalin Onkologjik. Onkologjiku po digjet, jo me flakë, por me heshtjen kriminale të një qeverie që ka humbur çdo ndjenjë përgjegjësie dhe ndjesi njerëzore,” deklaroi Xhixho.

Deputetja ngriti alarmin për mungesat e theksuara në pajisje dhe barna, duke e cilësuar gjendjen në Onkologjik si një “dramatike humanitare". 

“Në Onkologjik hyjnë çdo ditë mbi 100 pacientë me shpresën për t’u kuruar dhe kanë vetëm 19 poltrona për kimioterapi. Në Kosovë janë 100! 46% e barnave tumoriale të autorizuara nuk janë importuar asnjëherë gjatë periudhës 2021–2025. Pacientët trajtohen me barna të skaduara, në vend të sigurisë medikamentoze kemi kontrabandë dhe krim shtetëror”, tha deputetja. 

Xhixho tha se në “Shqipërinë europiane të 2030-s”, pacientët me kancer nuk kanë akses në aparatura bazike si PET-scan, akseleratorë apo mamografi, dhe se shumë gra detyrohen të ndërpresin trajtimin ose të shesin gjithçka për të blerë ilaçet jashtë vendit.

Ajo akuzoi qeverinë për shpërdorim të fondeve publike në projekte luksoze e korruptive, ndërsa pacientët vuajnë mungesën e trajtimit.

“50 milionë euro janë vjedhur vetëm nga tuneli i Llogarasë, një aferë për të cilën zv.kryeministrja është nën hetim dhe në detyrë. 160 milionë euro janë dhënë për ‘Tigrin 1’ dhe ‘Tigrin 2’ që nuk kanë prodhuar asnjë ditë energji. Me këto para mund të ishin blerë të gjitha pajisjet që mungojnë në Onkologjik,” u shpreh ajo.

Të fundit