Flash News

Ditari i Opozitës

5 mijë lekë për pensionistët, Teliti: Shpërblim qesharak, Rama rrënoi ekonominë

5 mijë lekë për pensionistët, Teliti: Shpërblim
Drejtori i Kabinetit në PD, Dorian Teliti

Drejtori i Kabinetit në selinë blu, Dorian Teliti akuzon kryeministrin Edi Rama se ka dështuar, duke vënë theksin te ekonomia. Teliti e quan qesharak, shpërblimin prej 5 mijë lekësh që qeveria dha për pensionistët.

Përmes një postimi në Facebook, Teliti thotë qeveria Rama e ka harruar moshën e tretë, duke theksuar se Shqipëria ofron ndihmën më të ulët ekonomike për qytetarët e saj.

“Për 7 vite, Rama u ka sjellë shqiptarëve vetëm rrënim ekonomik, rritje të kostos së jetesës, shtim të papunësisë dhe rrënim të sistemit shëndetësor. Kosto e jetesës po rritet çdo ditë. Këtë vit çmimet e ushqimeve janë rritur me 4.7%, duke shkaktuar një humbje të fuqisë blerëse të pensionistëve prej rreth 100 mijë lekësh të vjetra. Pensionistët e shohin këtë shtrenjtim të jetesës kudo, në supermarkete, dyqane ushqimore, në farmaci”, shkruan Teliti.

Ky i fundit vlerëson se ka ardhur koha për ndryshim, të cilin sipas tij, nuk mund ta ofrojë qeveria aktuale.

“Ndryshim për pensionistët, të rinjtë e të rejat, bizneset, ata që kanë humbur vendin e punës dhe ata që mezi po e mbajnë punën. Ndryshim për të gjithë shqiptarët që duan një jetë më të mirë”, shkruan ndër të tjera Teliti.

 

Të fundit