Flash News

Ditari i Opozitës

9 vende të BE kundër raportit IBAR, Berisha: Dosja Balluku dhe AKSHI, dokumente për korrupsion

9 vende të BE kundër raportit IBAR, Berisha: Dosja Balluku dhe AKSHI,

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se është rritur numri i vendeve që kanë votuar kundër miratimit të raportit IBAR për Shqipërinë, nga 4 në 9 shtete.

Sipas Berishës, raporti lidhet me vlerësimin e standardeve të shtetit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit në vend, ndërsa ai e cilëson këtë si një sinjal të përkeqësimit të perceptimit ndërkombëtar për Shqipërinë.

“Kam dijeni për këtë sepse me datën 1 prill, kur pritej të diskutohej për raportin e vlerësimit të standardeve të shtetit ligjor në Shqipëri dhe luftës kundër korrupsionit, numri i vendeve që u shpreh kundër votimit të tij, i mbidyfishua, nga 4 u bënë 9. Dhe ne ju kishim paralajmëruar për këtë.

Nuk mund të kapërdihet, ju garantoj se herën tjetër do të jenë 13. Pse do të jenë 13? Sapo të marrin vesh të vërtetën Balluku. E vërteta e dosjes Balluku dhe AKSHI, janë bërë dokumente të pakundërshtueshme të korrupsionit në Shqipëri dhe të bllokimit të luftës ndaj korrupsionit nga Edi Rama”, tha Berisha, duke lidhur këtë me atë që e quajti “dosja Balluku dhe AKSHI”.

Berisha deklaroi se Shqipëria nuk plotëson kriteret e integrimit në BE, përveç atij gjeostrategjik.

“Edi Rama këto ditë, duke mashtruar shqiptarët dhe duke mos u treguar të vërtetën, thotë nëpër takimet me socialistët se janë ata të paudhët që po përpiqen të pengojnë këtë proces.

Edhe njëherë dua të them para shqiptarëve: qëndrimi ynë është shumë transparent, ne jemi për procesin e integrimit, por deklarojmë se Shqipëria nuk plotëson absolutisht asnjë kriter përveç kriterit gjeostrategjik.

Siç e shihni ju, koha po vërteton këtë që kemi thënë. Ne e kemi thënë këtë me kohë, ne kemi paraqitur para komunitetit ndërkombëtar dokumente dhe fakte të pakundërshtueshme se, Shqipëria nuk plotëson asnjë kriter. Ato janë të sanksionuara në 7 rezoluta ndërkombëtare të partive të qendrës së djathtë dhe të djathta”, deklaroi Berisha.

Të fundit