Flash News

Ditari i Opozitës

Administratori i PD: Pas dhunës së 8 janarit, do marrim çdo masë shtesë sigurie

Administratori i PD: Pas dhunës së 8 janarit, do marrim çdo
Nga protesta e 8 janarit ne seline e PD

Veç dyerve të blinduara, Partia Demokratike ka paralajmëruar masa të tjera shtesë për mbrojtjen e godinës së selisë blu.

Administratori i PD, Albert Avdyli ka njoftuar se do të merret çdo masë shtesë sigurie e nevojshme, si dhe ka paralajmëruar se çdo tentativë e tyre për të sulmuar apo dhunuar partinë do të marrë përgjigje ligjore.

8 janari ishte një ditë e keqe për demokratët! Më 8 janar një skenar dhune i parapërgatitur u zbatua ndaj Partisë Demokratike, duke rrezikuar jetën e dhjetëra demokratëve brenda dhe jashtë selisë. Jo vetëm që urdhëruesit, organizuesit dhe ekzekutorët nuk u distancuan nga dhuna, por rinisën në mënyrë të papërgjegjshme thirrjet për më shumë dhunë dhe për gjak. PD nuk mundet kurrë të shndërrohet në arenën e përplasjes mes demokratëve.

PD është distancuar dhe distancohet nga dhuna. Për ne, asgjë nuk vlen më shumë se jeta e qytetarëve, jeta e demokratëve, që më 8 janar u përdorën si mish per top nga njeriu që i kanë shërbyer në 30 vite. Të zëvendësosh 44 mijë “anëtarë” të pretenduar partie, me 44 mijë copa betoni, gurë dhe hekura që hidhen mbi kokat e demokratëve që janë brenda selisë, është tentativë për t’iu imponuar shumicës me dhunë dhe mashtrime.

E dhimbshme ta them, por pas tentativës për të vrarë demokratët, Sali Berisha dhe çdokush tjetër që zbatoi apo frymëzoi dhunën ndaj PD dhe demokratëve, kanë ndërprerë çdo marrëdhënie me partinë dhe institucionin. Çdo tentativë e tyre për të sulmuar apo dhunuar Partinë Demokratike do të marrë përgjigje ligjore.

Tentativat e tyre për dhunë dhe gjak do të dështojnë, sepse, siç u vërtetua më 8 janar, dhuna dhe gjuha e dhunës është e shkuara dhe jo e ardhmja e kësaj partie. PD do të njoftojë zyrtarisht institucionet ligjzbatuese të vendit dhe partnerët ndërkombëtarë për listën e plotë të atyre që organizuan, nxitën, përgatitën dhe ekzekutuan dhunën mbi demokratët, të cilët nuk i lidh më asgjë me selinë e PD dhe me demokratët.

Pas dhunes se 8 janarit dhe përpjekjeve të vazhduara për të dhunuar dhe dëmtuar selinë e PD, të cilat kanë edhe kosto financiare, PD do të marrë çdo masë shtesë sigurie të nevojshme. PD është e hapur vetëm për debate, diskutime dhe mendim ndryshe, jo për akte dhune që tentojnë të zëvendësojnë shumicën legjitime të demokratëve”, bën me dije administratori i PD.

Të fundit