Flash News

Ditari i Opozitës

Akti i deputetëve të PD në parlament/ Berisha: Komuniteti ndërkombëtar po priste pikërisht zërin e opozitës

Akti i deputetëve të PD në parlament/ Berisha: Komuniteti

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se protestat dhe veprimet e deputetëve të opozitës në Kuvend kanë marrë një jehonë të jashtëzakonshme ndërkombëtare, duke u pasqyruar në mediat më të mëdha botërore si CNN, Fox News, Al Jazeera dhe të tjera.

Sipas Berishës, kjo vëmendje ndërkombëtare përbën një mbështetje të fuqishme për forcat demokratike në Shqipëri dhe është dëshmi se komuniteti ndërkombëtar “po priste pikërisht zërin e opozitës”, protestën kundër asaj që ai e cilëson si vjedhje dhe korrupsion qeveritar.

Ai theksoi se Partia Demokratike i ka paraprirë kësaj jehone me veprime konkrete në arenën ndërkombëtare, duke përmendur miratimin e shtatë rezolutave nga organizata ndërkombëtare të qendrës së djathtë, ku Shqipëria cilësohet si vend me zgjedhje farsë, shtet të kapur nga krimi dhe me pluralizëm politik të shtypur.

Berisha u shpreh se bindja e organizatave më të mëdha të qendrës së djathtë nuk ka qenë e lehtë, për shkak të asaj që ai e quajti “lobim të stërfuqishëm të Edi Ramës” në Bruksel, duke përmendur edhe ish-zyrtaren e lartë europiane Federica Mogherini, për të cilën hodhi akuza të forta lidhur me marrëdhëniet e saj me kryeministrin shqiptar.

"Natyrisht, jehona jashtëzakonisht e fuqishme e aktit të deputetëve të PD në parlament, në mediat më të mëdha në botë, siç është FoxNeës, CNN, Al Jazera, dhe media të tjera, është njëkohësisht një mbështetje e fuqishme për forcat demokratike, është dëshmi e faktit se këto media dhe komuniteti ndërkombëtar, atë që po priste ishte pikërisht zëri i opozitës, protesta kundër vjedhjes dhe korrupsionit.
Ndërsa përsa i përket Ramaduros, unë mund të ju them ju se, PD i parapriu kësaj jehone. Janë 7 rezoluta ndërkombëtare të të gjitha partive të qendrës së djathtë, dhe ua them se nuk ka qenë e lehtë të bindësh tre organizatat më të mëdha, por dhe të vetmet të të gjitha partive të qendrës së djathtë dhe të djathta, se në Shqipëri zgjedhjet janë farsë, se në Shqipëri shteti është një narkoshtet, se pluralizmi politik shtypet, se korrupsioni nuk ndëshkohet, se drejtësia përdoret si armë kundër opozitës, të gjitha këto nuk kanë qenë të lehta, për shkak të lobimit të stërfuqishëm të Edi Ramës.
Ju e patë, kush ishte lobistja e Edi Ramës në Bruksel. Ishte njeriu që kishte bërë ligjin, ishte Frederica Mogherini e cila duhet të ju them shqiptarëve dhe komunitetit ndërkombëtar se, afera e Bruzhit është as 1/5 e aferës së saj të Tiranës me Edi Ramën.
Por të gjitha këto u tejkaluan me sukses. Të gjitha këto, bota pa se ne kishim të drejtë në zërin tonë, se akuzat tona qëndronin dhe ishin jo vetëm në interes të shqiptarëve, por dhe në interes të rajonit dhe më gjerë.
Shqipëria u shpall se fundmi në Uashington, në rezolutën e IDU-së rrezik për sigurinë Europiane dhe sigurinë e NATO-s.
Ju duhet të dini se, të gjitha të dhënat më sekrete, më të rëndësishme të një vendi që janë njëkohësisht të rëndësishëm për NATO, kanë përfunduar në duart e Ergys Agasit, Suel Çelës, Altin Troplinit, dhe klaneve të drogës nga AKSHI i Edi Ramës.

Të fundit