Flash News

Ditari i Opozitës

Akuzat si ish-sigurims/ Gjykata ‘rrëzon’ Prokurorinë, pranon ankimimin e Ilir Metës

Akuzat si ish-sigurims/ Gjykata ‘rrëzon’ Prokurorinë,

Gjykata ka pranuar ankimimin e Ilir Metës dhe ka rrëzuar Prokurorinë, e cila vendosi të mos nisë hetimet ndaj Autoritetit të Dosjeve për padinë e depozituar nga kryetari i PL-së.

Lajmin e bënë me dije nënkryetari i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili dhe avokati i Metës, Genc Gjokutaj në një konferencë për mediat.

“Veprimet e prokurorisë kanë qenë skandaloze dhe të paimagjinueshme. Prokuroria ka arritur deri aty sa nuk ka dëgjuar fare palën akuzuese, por ka dëgjuar vetëm palën e akuzuar, anëtarët e autoritetit të dosjeve dhe vetëm mbështetur në dëshmitë e tyre ka vendosur mosfillimin.

Prokuroria duke mos regjistruar procedimin penal as nuk ka marrë dokumentet, të cilat provonin shumë qartë shpërdorimin e detyrës, mashtrimin dhe manipulimin e Anëtarëve të Autoritetit të Dosjeve”, tha Vasili.

Ilir Meta ka paditur anëtarët e Autoritetit të Dosjeve: Gentiana Sulën, Albert Nikollën, Altin Hoxhën, Gjergj Markun dhe Skënder Vrionin.

Meta i akuzon për shkelje të rënda dhe të qëllimshme që i kanë bërë ligjit për dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit. Gjithashtu thekson se ky institucion është vendosur në shërbim të kryeministrit Edi Rama.

Kujtojmë që në muajin korrik, Autoriteti i Dosjeve dorëzoi në Kuvend kërkesën për verifikim, duke pretenduar se një politikan me iniciale I.M., kishte qenë ish-sigurims. Nisur nga inicialet nisën aludimet se bëhej fjalë për Ilir Metën, por ky i fundit i ka mohuar akuzat.

Të fundit