Flash News

Ditari i Opozitës

Alibeaj pranon kontestimet për rezolutën dhe tregon se kush do të negociojë me grupin e Berishës

Alibeaj pranon kontestimet për rezolutën dhe tregon se kush do të

Kryetari i ri i komanduar i Partisë Demokratike, Enkelejkd Alibeaj ka konfirmuar se gjatë mbledhjes së ditës së hënë, kur u miratua rezoluta kishte pasur kontestime për mënyrën e formulimit apo edhe për kohën e deklaratës, por sipas tij, ata ishin numri i vogël.

Sa i përket numrit të deputetëve që nuk ishin të pranishëm, ai tha në një intervistë për “Panorama” se e dhanë dakordësinë dhe mendimin e tyre online.

“Një pjesë e deputetëve nuk kanë qenë të pranishëm dje fizikisht për shkak edhe të lëvizjes në terren apo edhe jashtë vendit. Atyre iu krijua mundësia që mendimin dhe eventualisht dakordësinë apo kundërshtimin e tyre mbi atë çka ishte përshkruar ta jepnin online.

Ajo çka ju them me siguri, është se atë qëndrim e kanë mbështetur shumica e grupit të deputetëve. Po, ka pasur kolegë që kanë shprehur rezerva për fraza apo terminologji në tekstin e dokumentit apo rezerva edhe për kohën se kur duhet të dilej me një qëndrim. Çdo shqetësim i ngritur prej tyre është respektuar me rigorozitet të plotë, duke mos i përllogaritur në kuorum”, tha Alibeaj.

Ky i fundit ka folur edhe për negociatat me Komisionin e Rithemelimit. Ai tha se do të jenë deputetët e grupit ata të cilët do të negociojnë me pjesën tjetër të deputetëve të pezulluar mbi mekanizmin që do të gjendet dhe do të vijohet për bashkimin.

Alibeaj nuk dha asnjë përgjigje të drejtpërdrejtë nëse është kusht dorëheqja e Berishës, por theksoi se zgjidhja duhet të vijë mbi parimet thelbësore të PD-së. 

“Nëse lexoni me kujdes qëndrimin, aty saktësohet se i gjithë Grupi Parlamentar shprehet i gatshëm të negociojë me kolegët e pezulluar, dhe kështu do të jetë: I gjithë Grupi Parlamentar do të jetë praktikisht pjesëmarrës në negociatë dhe sigurisht, vendimmarrës për gjetjen e një zgjidhje të pranueshme që synon bashkimin. Vullneti fillimisht e pastaj procesi.

Sa i përket procesit, vijues, është çështje që do të vendoset hap pas hapi. Ajo që dimë me siguri në këtë moment ka të bëjë me parimet që duhet të përshkojnë këtë proces, bëhet fjalë për ngritjen e një mekanizmi konsensual, luajal ndaj vlerave themelore të Partisë Demokratike, sigurisht në konsultim edhe me institucionet e tjera të partisë”, shtoi ai.

Të fundit