Flash News

Ditari i Opozitës

Alimehmeti: Berisha mbetet kryetar i PD, ndryshimet vendosen në forume

Alimehmeti: Berisha mbetet kryetar i PD, ndryshimet vendosen në forume

Mjeku Ilir Alimehmeti ka folur mbi situatën e krijuar në Partinë Demokratike pas zgjedhjeve të 11 majit.

Në një intervistë për "Top Channel", Alimehmeti tha se Sali Berisha është kryetari i Partisë Demokratike dhe se largimi ose qëndrimi i tij si lider i kësaj partie vendoset në forume. 

“Berisha është kryetar i PD. Statutin e vendos partia dhe është e drejta jonë që ta bëjmë këtë diskutim brenda forumeve tona, kur të mblidhen. Unë jam anëtar i Këshillit Kombëtar, ju e dini, nuk është mbledhur deri tani, ne do kemi diskutimet tona”, tha Alimehmeti.

Me mbylljen e betejës ligjore, doktori Alimehmeti pret që partia të futet në një fazë të re, atë të reflektimit dhe analizës së performancës së rezultatit, që duhet të shoqërohet me ndryshim të strukturave drejtuese.

“Kjo është çka bën një parti politike të lëvizë dhe të ketë rotacion brenda vetes. Po të kishte qenë puna për dorëheqje të dikujt, dorëheqjet duhej të ishin dhënë. Ndryshimet përndryshe janë rrjedhojë e një reflektimi më të matur dhe më kolegjial mbi performancat zgjedhore. Sa dikush, apo një forcë, apo një grupazh ka arritur të prodhojë. Nëse ka performuar mirë, duhet të ecë një hap përpara, apo nëse ka bërë të kundërtën, të ecë një hap pas. Sepse ne supozojmë të bëjmë rotacion brenda Shqipërisë, e njëjta gjë duhet të ndodhë brenda nesh”, thotë ai.

Pas radiografisë së brendshme, doktori Alimehmeti është i mendimit që dyert e Partisë Demokratike duhet të hapen për të rinjtë.

“Unë vetë jam produkt i hapjes, por është produkt i vogël. Numrat kanë qenë të vegjël, duhet të zgjerohet, sepse vetëm në këtë lloj mënyre mund të ndodhë oksigjenimi që mund të sjellë një hap më shumë, një marsh më shumë”, shprehet Alimehmeti.

 

Të fundit