Flash News

Ditari i Opozitës

Alimehmeti për zgjedhjet parlamentare: Disa morën mbi 20 mijë vota dhe nuk i njeh askush, organet kompetente nuk bëjnë asgjë!

Alimehmeti për zgjedhjet parlamentare: Disa morën mbi 20 mijë

Ish-kandidati i Partisë Demokratike për deputet në Tiranë, Ilir Alimehmeti, ka ngritur akuza të forta ndaj institucioneve shtetërore lidhur me parregullsitë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. I ftuar në emisionin “Log”, Alimehmeti tha se zgjedhjet nuk pasqyruan vullnetin e popullit, ndërsa ngriti dyshime për vota të manipuluara dhe individë të panjohur që rezultuan me mbi 20 mijë vota.

"Është e kotë të flasim për vullnetin e popullit. Në këto zgjedhje dolën disa që morën mbi 20 mijë vota dhe nuk i njeh askush. As Ministri i Brendshëm nuk i merr dot, ndërsa organet kompetente nuk bëjnë asgjë për hetimet mbi krimet zgjedhore,” u shpreh Alimehmeti.
Ai shtoi se institucionet janë në “pushim” dhe se vetëm opozita po merret realisht me mbledhjen e provave për manipulimet elektorale.

Alimehmeti përmendi edhe raportin e OSBE/ODIHR, i cili sipas tij konfirmon se zgjedhjet nuk ishin të barabarta, për shkak të përdorimit të administratës publike dhe faljes së gjobave nga qeveria vetëm tri ditë para votimeve – veprime që ai i cilëson si mjet për të ndikuar elektoratin.

"Problemet nuk zgjidhen nga ata që i krijuan. Nëse nuk bëjmë as një gjysmë hapi përpara, nuk mund të ecim më tej. E vetmja gjë që i mbetet popullit është të largohet,” përfundoi ai, duke nënvizuar krizën e thellë të besimit ndaj procesit zgjedhor dhe institucioneve.
Deklaratat e Alimehmetit vijnë në një kohë kur opozita ka paralajmëruar paditë dhe kallëzimet penale ndaj individëve dhe institucioneve që dyshohen për manipulim të rezultatit zgjedhor.

Të fundit