Flash News

Ditari i Opozitës

Alizoti: Ahmetaj tha se u kërcënua, SPAK të nisë hetimet pasi u vërtetua që Shqipëria është vend mafioz

Alizoti: Ahmetaj tha se u kërcënua, SPAK të nisë hetimet

Deputeti i PD, Tomor Alizoti e ka krahasuar PS me një repart ushtarak, ndërsa e cilëson kryeministrin Edi Rama një autokrat që “u bën rreshtore” të vetëve në parti.

Aty është një autokrat, thënë shqip, që i vendos në rresht, u bën rreshtore atyre në parti. E ka bërë atë parti repart ushtarak. Parlamenti nuk është pronë e Ramës, nuk i dikton ai rregullat. Nuk jemi në një paradë mode kush sillet më mirë e kush sillet më keq. Kemi një regjim që kontrollon gjithçka”, tha Alizoti në News 24.

Ai shtoi se deklaratat e ish-zv. kryeministrit Arben Ahmetaj ku shprehet se është kërcënuar nga Rama janë të mjaftueshme që SPAK të nisë hetimet kundrejt kreut të qeverisë.

“Për herë të parë në 100 vjet shtet ka dalë ish-zv. kryeministri që ka deklaruar se kryeministri në detyrë ka dashur ta eliminojë fizikisht. Edhe mund të jetë deklaratë politike, por e thënë nga një njeri shumë i afërt i kryeministrit, duhet që SPAK të fillojë një hetim pasi u vërtetua që Shqipëria është një vend mafioz.

Numri dy tha se kryeministri shqiptar po kërcënonte jetën e tij dhe familjes së tij. Ku është sistemi i drejtësisë? Ky është mafiozi i parë. Nuk ka skandal më të madh se kaq. Çfarë duhet të thotë më shumë një njeri që drejtoi gjithë paratë për Covid-in dhe tërmetin, kur thotë se u arratis se i cenohej jeta”, tha deputeti.

Sa i përket zhvillimeve në kampin blu, ai tha se solidarizimi i Gazment Bardhit dhe deputetëve të tjerë pranë tij me protestën dhe tubimin pranë banesës së Sali Berishës është një veprim që tregon se grupi parlamentar është i bashkuar

“Mendoj se Bardhi dhe të tjerët bënë gjënë më të mirë, sepse Berisha është ndër themeluesit kryesorë të pluralizmit në Shqipëri. Është një solidarizim për padrejtësinë që po i bëhet. Grupi parlamentar ka treguar se ka një pozicion të përbashkët dhe është shumë mirë që ndodhi. Nuk e zhbën dot historinë e Berishës me PD-në. Opozita tani duhet të zhvillojë ide dhe zemërimin shoqëror ta ngrejë te qytetarët.

Berisha nuk është kundër SHBA. Amerika është shumë e madhe, përplasja me konservatorët dhe republikanët është tejet e polarizuar. Berisha është themelues i PD, unë nuk e zhbëj dot këtë dhe mbështetjen e demokratëve ndaj tij. Kongresmenët që kam takuar janë surprizuar, Amerika është shumë e madhe për të thënë që SHBA e ka shpallur Berishën non-grata. PD është parti biologjikisht pro-perëndimore”, u shpreh Alizoti.

 

 


 

Të fundit