Flash News

Ditari i Opozitës

Balliu: Kullat në Tiranë po përdoren për pastrim parash nga droga dhe korrupsioni

Balliu: Kullat në Tiranë po përdoren për pastrim parash nga

Bumi i ndërtimit në kryeqytet, i simbolizuar nga kullat shumëkatëshe, është kthyer në një "lavatriçe" gjigante për paratë e drogës dhe korrupsionit me bekimin e qeverisë.

Kështu deklaroi deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, i cili shtoi se ky fenomen po deformon tregun, po dëmton biznesin e ndershëm dhe po kërcënon stabilitetin ekonomik të vendit.

I ftuar në Syri TV, Balliu argumentoi se çmimet e pasurive të paluajtshme në Tiranë janë jashtë çdo logjike ekonomike.

"Një apartament në kullat e reja kushton nga 5,000 deri në 7,000 euro për metër katror, ndërsa një njësi tregtare arrin deri në 20,000 euro. Këto shifra janë të papërballueshme për qytetarët me rrogat mesatare në Shqipëri," tha ai.

Sipas tij, ky treg fiktiv ushqehet nga burime financimi të padeklaruara. Ai solli në vëmendje një fakt alarmues:

"Vetëm 22% e financimeve për miliarda euro ndërtime vijnë nga sistemi bankar. Pjesa tjetër, rreth 78%, janë para me origjinë të pashpjeguar, të cilat unë i identifikoj si para korrupsioni dhe droge."

Deputeti i opozitës theksoi se kjo skemë dëmton drejtpërdrejt biznesmenët e ndershëm, të cilët përballen me taksa të larta dhe konkurrencë të pandershme nga kartelet që, sipas tij, janë partnerët realë të qeverisë në këtë sektor.

"Ky pastrim parash rrit artificialisht kostot, të cilat në fund i kalojnë konsumatorit," shpjegoi Balliu. "Nëse një biznes i vogël merr me qira një dyqan me çmim të fryrë, ai detyrohet të rrisë çmimet e produkteve të tij. Në fund, faturën e paguan qytetari i thjeshtë."

Balliu pohoi se shqetësimi për pastrimin e parave në sektorin e ndërtimit në Shqipëri nuk është vetëm i opozitës, por është ngritur vazhdimisht edhe nga partnerët ndërkombëtarë.

"Departamenti Amerikan i Shtetit dhe Antimafia Italiane e kanë identifikuar si një problem serioz. Madje edhe 'Ndrangheta shprehu interes për të investuar pikërisht në ndërtimet në Tiranë," tha ai.

Ai shtoi se kartelet shqiptare janë unike, pasi paratë e krimit i pastrojnë në vendin e tyre të origjinës, ku ndihen të mbrojtura, dhe më pas i investojnë në pasuri të paluajtshme në vende si Mbretëria e Bashkuar, duke krijuar probleme edhe për aleatët tanë.

 

Të fundit