Flash News

Ditari i Opozitës

Balliu nga Mynihu: Qeveria po neglizhon sigurinë kibernetike

Balliu nga Mynihu: Qeveria po neglizhon sigurinë kibernetike

Nënkryetari i Komisionit për Punët e Brendshme dhe Mbrojtjen Kombëtare, Klevis Balliu, ka marrë pjesë në Konferencën e Sigurisë në Mynih, ku në fokus të diskutimeve ishte roli kyç i sigurisë kibernetike në arkitekturën globale të sigurisë.

Gjatë ndërhyrjes së tij në këtë forum ndërkombëtar, Balliu ngriti alarmin për situatën e sigurisë digjitale në Shqipëri, duke e cilësuar atë të pambrojtur dhe të keqmenaxhuar. Sipas tij, në një kohë kur shtetet po rrisin investimet dhe kapacitetet për mbrojtjen e infrastrukturës kritike dhe të dhënave shtetërore, Shqipëria mbetet pas për shkak të mungesës së vizionit dhe profesionalizmit.

Ai theksoi se siguria kibernetike sot është e lidhur drejtpërdrejt me sovranitetin dhe funksionimin normal të institucioneve, duke paralajmëruar se çdo dobësi në këtë sektor mund të kthehet në kërcënim serioz për sigurinë kombëtare. Në këtë kuadër, Balliu kritikoi nivelin e ulët të financimit për këtë fushë, të cilin e konsideroi të papërshtatshëm për sfidat që paraqet epoka digjitale.

Gjatë konferencës, ai u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të mbështesin Shqipërinë në forcimin e kapaciteteve institucionale dhe teknike, duke theksuar nevojën për bashkëpunim më të ngushtë në përballimin e kërcënimeve kibernetike.

Në përmbyllje, Balliu deklaroi se mbrojtja e hapësirës digjitale duhet të trajtohet si prioritet kombëtar, pasi, sipas tij, neglizhenca në këtë drejtim rrezikon stabilitetin dhe të ardhmen e vendit.

Të fundit