Flash News

Ditari i Opozitës

Balliu ngre shqetësime për kushtet e Metës: Kërkon vetëm transparencë për procesin gjyqësor

Balliu ngre shqetësime për kushtet e Metës: Kërkon

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka folur për mediat pas një vizite në ambientet e burgut “313”, ku u takua me presidentin e Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Gjatë prononcimit, Balliu deklaroi se është njohur nga afër me kushtet në të cilat ndodhet Meta, duke ngritur shqetësime për trajtimin e tij në qeli. Sipas tij, në dhomën ku qëndron Meta nuk funksionon sistemi i sinjalizimit për të thirrur efektivët e policisë, ndërsa përmendi edhe kufizime në komunikimin e tij me përfaqësues të Partisë së Lirisë.

Deputeti theksoi se ish-presidenti përballet me vështirësi edhe në kontaktet me bashkëpunëtorët politikë, duke shtuar se komunikimi me drejtues të partisë bëhet në mënyrë indirekte. Ai përmendi gjithashtu se Meta nuk ka mundur të takojë prindërit e tij prej muajsh, për shkak të kufizimeve në listën e vizitorëve.

“Sot mu dha mundësia edhe të bëj inspektimin, edhe të takohem me presidentin Ilir Meta. Të cilin unë kisha dëshirë ta sqaroja për ca gjëra, por përfundoi që më sqaroi ai mua, se është më i qartë se sa ne që jemi këtu jashtë. Dua të them që niveli komunist është i pandryshueshëm, pavarësisht se sa vitesh kalojnë. Atë çfarë kërkon Ilir Meta është ajo që është më minimalja për në çdo vend të botës, që ai të ketë mundësinë e komunikimit me deputetët e tij si kryetar partie, si ish-president, si ish-kryeministër, si ish-kryetar i kuvendit, të ketë komunikimin me deputetët e tij.

Tani një njeri që ka probleme me ligjin, e vetmja gjë që nuk kërkon është të jenë seancat publike, i kërkon të fshehta. Dhe prandaj që qeveria po bën çmos, Edi Rama po bën çmos, që seancat gjyqësore të jenë të fshehta. Jo vetëm kaq, por është i vetmi rast, po ju kujtoj këtu Navalnin. Navalnit i u dha mundësia të jepte intervistë në burg në Siberi. Iu dha mundësia të jepte intervistë. Ilir Metës nuk i jepet kjo mundësi. Është rast unikal në botë. Rast unikal. Navalni në Rusi, atë që na flasin këto për diktaturën e për këto, Navalnit iu dha mundësia për të dhënë intervistë. Ilir Metës nuk i jepet mundësia për të dhënë intervistë, dhe kërkon intervistat me gazetarët të cilët janë të regjistruar”, tha Balliu.

Të fundit