Flash News

Ditari i Opozitës

Balliu nuk lejohet të inspektojë kushtet e paraburgimit: Më ndaluan në shkelje të ligjit

Balliu nuk lejohet të inspektojë kushtet e paraburgimit: Më

Deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu, ka deklaruar se është ndaluar sot të ushtrojë të drejtën e tij kushtetuese për kontrollin e kushteve në institucionet e vuajtjes së dënimit.

Në një prononcim për mediat nga jashtë ambienteve të paraburgimit “Jordan Misja–313” në Tiranë, Balliu tha se ndalimi i tij përbën shkelje të hapur të ligjit dhe pengim të ushtrimit të detyrës si deputet.

Sipas tij, qëllimi i inspektimit ishte verifikimi i kushteve të trajtimit të të gjithë të burgosurve dhe të paraburgosurve, pa përjashtim, përfshirë edhe ish-presidentin Ilir Meta. Balliu theksoi se për rastin e Metës janë ngritur publikisht shqetësime lidhur me kushtet e trajtimit që nga momenti i arrestimit.

"Sot jam ndaluar në mënyrë arbitrare dhe në shkelje të hapur të ligjit gjatë ushtrimit të detyrës sime për inspektimin e kushteve në Institucionin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale nr. 313.

Qëllimi i këtij inspektimi ishte verifikimi i kushteve të trajtimit të të gjithë të burgosurve dhe të paraburgosurve, pa përjashtim, përfshirë këtu edhe Presidentin Ilir Meta, për të cilin janë shprehur publikisht edhe zyrtarë të tjerë se kushtet që nga momenti i arrestimit deri te trajtimi i tij kanë qenë të padrejta. Kjo ishte pjesë e detyrimit ligjor për mbrojtjen e të drejtave themelore të njeriut.

Ky ndalim është i pajustifikuar, i paligjshëm dhe përbën një akt të rëndë pengimi ndaj transparencës dhe kontrollit institucional mbi sistemin penitenciar. Ligji është i qartë: institucionet përgjegjëse kanë detyrimin të lejojnë inspektimin e kushteve të trajtimit të të paraburgosurve dhe të dënuarve, jo ta bllokojnë atë.

Fatkeqësisht, Shqipëria po shndërrohet në rast unik, ku institucionet shtetërore nuk zbatojnë ligjin, por e shkelin atë për të fshehur problematika serioze, abuzime dhe shkelje të të drejtave të njeriut.

Ky veprim nuk është thjesht një shkelje procedurale ndaj meje personalisht, por një mesazh frikësues ndaj çdo përpjekjeje për kontroll, llogaridhënie dhe shtet të së drejtës. Kur inspektimi ndalohet, është e qartë se dikush ka diçka për të fshehur.

Unë do të ndjek çdo rrugë ligjore dhe institucionale për ta çuar këtë çështje deri në fund, sepse respektimi i ligjit, dinjiteti njerëzor dhe transparenca nuk janë privilegje, por detyrime kushtetuese", deklaroi Balliu.

Të fundit