Flash News

Ditari i Opozitës

Bardh Spahia: Çdo heshtje e diasporës është biletë vetëm vajtje për një të ri që braktis Shqipërinë

Bardh Spahia: Çdo heshtje e diasporës është biletë

Deputeti i Partisë Demokratike, Bardh Spahia, në një reagim në rrjetet sociale për qëndrimin e diasporës shqiptare, u shpreh se heshtja është e papranueshme përballë asaj që ai e cilëson si "hajdutëri të mbrojtur me 83 mandate të vjedhura".

Reagimi i deputetit të PD, Bardh Spahia:

Çdo heshtje e diasporës është një biletë vetëm-vajtje për një tjetër të ri që detyrohet të braktisë Shqipërinë.

​Sot pyetja nuk është më çfarë thotë pushteti, por pse hesht diaspora?
Si ka mundësi që bashkatdhetarët tanë, që jetojnë në lirinë dhe demokracinë e Europës e Amerikës, të mos e shohin se në Shqipëri hajdutëria mbrohet me kartonët e 83 mandateve të vjedhura?
Është e pamundur të mos e dish. Por është e turpshme ta dish dhe të zgjedhësh buzëqeshjen nëpër samite përballë një regjimi që po e zbraz kombin tonë çdo ditë e më shumë.

Kujt i shërben një Diasporë që hesht?
A jeni ju të parët që bëni çmos për të kuruar familjarë apo miq tuaj jashtë kur është nevoja sepse e dini mirë që këtu janë në mëshirë të fatit? A jeni ju që mbani prindërit tuaj me para për të blerë ilaçe e për të përballur kostot e larta të jetesës shpesh të fryra nga korrupsioni e vjedhja?

​Një diasporë që hesht para vjedhjes që nuk ndalet nuk është urë lidhëse, por është oksigjen për pushtetin. Kur ju bashkëatdhetarë të dashtur uleni në tavolina me ata që kanë blinduar veten me mandate të tjetërsuara, nuk po ndihmoni Shqipërinë por po legjitimoni vrasjen e shpresës për ata që kanë mbetur ende këtu në Shqipëri

​Zbrazja e kombit nuk është aksident, është pasojë direkte e një qeverisjeje që mbron veten dhe jo qytetarin.

​Çdo heshtje e juaja është një biletë vetëm-vajtje për një të ri tjetër që detyrohet të braktisë shtëpinë.

Shqipëria ka nevojë për partnerë, jo për servilë!

​Vendi nuk ka nevojë për një diasporë që vjen për dekor, për foto dhe për t’i bërë fresk "sulltanatit" të radhës. Shqipërisë i duhet një diasporë që:
​Thotë të vërtetën troç: Që e quan vjedhjen – vjedhje, dhe krimin – krim.
​Nuk bën kompromis: Që nuk shitet për një pritje zyrtare apo një premtim elektoral.
​Qëndron krah qytetarit: Jo krah hajdutëve që fshihen pas imunitetit dhe numrave të vjedhur në Parlament.

​Ju që jetoni në vende ku ligji është i barabartë për të gjithë, duhet të jeni të parët që të kërkoni të njëjtin standard për vëllezërit tuaj këtu

Shërbimi më i lartë patriotik nuk është të këndosh këngë për atdheun ndërsa atdheu po vidhet, por të mos bësh asnjë kompromis në kurriz të të ardhmes.

​Prosperiteti nuk vjen nga servilizmi! Ai vjen nga guximi për të sfiduar pushtetin antishqiptar dhe antieuropian që vjedhjen e ka kthyer në sistem.
​Zgjohu, Diasporë! Mos u bëj palë me ata që po na fshijnë nga harta. Trego që ke mësuar lirinë, jo nënshtrimin. Shqipëria mbrohet duke i thënë "JO" hajdutërisë, jo duke i shtrënguar dorën hajdutit!

Të fundit