Flash News

Ditari i Opozitës

Bardhi i përgjigjet Peleshit: S’mund të ketë drejtësi me telekomandë kundër opozitës

Bardhi i përgjigjet Peleshit: S’mund të ketë drejtësi

Niko Peleshi, i pyetur nga gazetarët nëse maxhoranxa do i ‘hapë krahun’ opozitës pas tensioneve dhe përplasjeve të forta në Kuvend gjatë kësaj jave, tha se trazirat e fundit janë të pahijshme dhe se ‘nuk i vjen mirë’ për deputetët e përjashtuar.

Duke folur për protestën që ka paralajmëruar opozita ditën e hënë, Peleshi tha se “s’mund të komentoj çfarë vendos opozita, protesta është një element demokratik nuk është një herezi”.

Pas qëndrimit të Peleshit për protestën e opozitës, ka reaguar edhe kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi.

 Bardhi deklaron se nuk mund të ketë një drejtësi me telekomand kundër opozitës, dhe një drejtësi që injorohet kur godet bashkëpunëtorët e Edi Ramës.

Bardhi thekson se është detyrë dhe mision i opozitës që të reagojë ndaj tentativës së Partisë Socialiste për të zhbërë shtetin ligjor, dhe për të instaluar shtetin personal të Edi Ramës.

“Nuk ka vendim më të lartë përfundimtar dhe pa asnjë mundësi rishikimi sesa vendimet e Gjykatës Kushtetuese.

Partia Socialiste refuzoi 2 herë zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, duke mos pranuar të dorëzojë para drejtësisë bashkëpunëtoren e Edi Ramës, ish-ministren dhe deputeten Olta Xhaçka.

Nga ky moment, përrallat me 140 vota për Reformën në Drejtësi, përrallat me respektin ndaj drejtësisë së pavarur apo vendimet e gjykatave, të thënë nga goja e tyre që kanë zhbërë vendimet e Gjykatës Kushtetuese, provojnë sesa të paftyrë që janë.

Nuk mund të ketë një drejtësi me telekomand kundër opozitës, dhe një drejtësi që injorohet kur godet bashkëpunëtorët e Edi Ramës.

Që nga momenti që Kushtetuta u gris për llogari të korrupsionit të Olta Xhaçkës, çdo grimcë e respektit ndaj shtetit ligjor, zhduket.

Është detyrë dhe mision i opozitës që të reagojë ndaj tentativës së Partisë Socialiste për të zhbërë shtetin ligjor, dhe për të instaluar shtetin personal të Edi Ramës.”- shprehet Bardhi.

Të fundit