Flash News

Ditari i Opozitës

Bardhi sulmon Berishën: Nuk ka Kuvend më 11 dhjetor! S'është pronari i PD, por sebepi i kësaj që po ndodh

Bardhi sulmon Berishën: Nuk ka Kuvend më 11 dhjetor!

Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi ka komentuar situatën në selinë blu, për të cilën ka bërë fajtor ish-kryeministrin Sali Berisha.

Duke e akuzuar këtë të fundit se po përçan PD, Bardhi thotë se kjo situatë po shërben si oksigjen për qeverinë. Ai tha për "Kjo Javë" se para se të përjashtohej, Berisha nuk kishte ngritur asnjë akuzë apo shqetësim për kryedemokratin Lulzim Basha.

“Individi është sebepi i kësaj që po ndodh. Deri në 9 shtator, nuk kishte asnjë problem. Keni dëgjuar ndonjë të fliste për kreun e PD që ishte autokrat, kishte mbyllur partinë, asnjë nuk ka ngritur një shqetësim të tillë.

Më 9 shtator u shfaqën që kishte shumë probleme PD, Basha u shpall armik, lidershipi i PD që nuk mendon si Berisha shpallet armik, apo peng të Ramës. Akuza që as Berisha nuk i mendon vetë. Lëvizja e Berishës për të dëmtuar PD, për të përcarë PD është oksigjen për Ramën. Njeriu më komod me situatën në PD prej Berishës është Edi Rama”, u shpreh Bardhi.

Ky i fundit deklaroi se Berisha nuk është pronar i PD, duke shtuar se në 11 dhjetor nuk ka Kuvend, por miting. Sipas tij, nuk ka rëndësi se sa e mbushur është salla, ndërsa nënvizoi se PD vepron mbi bazën e institucioneve.

“Zoti Berisha është i lirë të mendojë e të thotë çfarë mendon, repsekt maksimal. PD vepron mbi bazën e institucioneve. Berisha s’mund të zëvendësojë as Kuvendin Kombëtar, as Këshillin e as kryetarin.
Berisha është lider historik i PD, respekt absolut për këtë për punën e tij, por nuk është pronar i PD. Pronar janë anëtarët e PD dhe zëri i tyre duhet të dëgjohet, ndaj është thirrur Kuvendi i 18 dhjetorit. Nuk ka Kuvend më 11 dhjetor, ka një miting. Çdo deputet përfshi Berishën ka aftësinë të mbledhë në një sallë anëtarë e mbështetës të PD, nuk është problemi sa fort e mbush sallën Berisha”, shtoi Bardhi.

 

 

Të fundit