Flash News

Ditari i Opozitës

Bardhi sulmon uniformat blu: S'ka polici që mund të fshehë me urdhër të Edi Ramës krimin që ka bërë Berisha

Bardhi sulmon uniformat blu: S'ka polici që mund të fshehë

Sekretari i Përgjithshëm Gazment Bardhi ka debatuar me uniformat blu, të cilat gjenden në selinë e PD-së. Këto të fundit nuk lejojnë asnjë njeri, as median të hyjë në ambientet e brendshme, për shkak se mbledhin provat në funksion të hetimeve.

Nga ana tjetër PD njoftoi se kryedemokrati Lulzim Basha do të ketë një komunikim për mediat dhe se do të priste gazetarët në zyrën e tij. Bardhi iu kërkoi efektivëve që të lejonin gazetarët që të hynin në seli, por këta të fundit e kundërshtruan.

Sekretari i Përgjithshëm nuk nguroi t'i konsideronte uniformat blu si vegël të kryeministrit Edi Rama edhe pse policia shkoi në selinë blu për të shuar protestën e thirrur nga Sali Berisha.

"Edi Rama nuk i fsheh dot gjurmët e krimit të Sali Berishës në godinën e demokratëve. Nuk ka polici shteti që mund të fshehë me urdhër të Edi Ramës krimin që ka bërë sot Sali Berisha në selinë qendrore të Partisë Demokratike.

37 deputetë të grupit parlamentar të PD, do japin deklaratë për mediat në zyrën e tyre. Nuk i pengoni dot. Media të bëjnë transparencë për krimet që ka kryer sot Sali Berisha në godinën e demokratëve. Ju lutem hapni rrugën të futen përfaqësuesit e medias. Nuk marr urdhër nga prokurorja unë për të futur median në zyrën time", tha Bardhi.

Të fundit