Flash News

Ditari i Opozitës

Bardhi reagon për strategjinë e Ramës për të mbrojtur Ballukun: SPAK ka sjellë prova, kryeministri po ndërhyn

Bardhi reagon për strategjinë e Ramës për të mbrojtur

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar në lidhje me qëndrimin që mbajti Partia Socialiste në mbledhje për të vijuar që të mbrojë zv/kryeministren Belinda Ballku me procedurë apo me ndryshime të ligjit.

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se do e vazhdojë betejën me drejtësinë, teksa ka lënë sot edhe porosi në grupin e PS për strategjinë që do të ndjekin.

Në lidhje me këtë zhvillim politik, Bardhi ka renditur disa nga “të vërtetat” siç i quan ai, që kreu i mazhorancës po i bën presion drejtësisë për të fituar kohë dhe mbrojtur Belinda Ballukun.

Deputeti opozitar kujton se tashmë SPAK ka sjellë prova se Balluku po intimidon dëhsmitarë dhe prish prova, teksa vendimi i Kushtetueses nuk komentohet, pasi duhet zbatuar tashmë ligji që t’i hiqet imuniteti dhe t’i hapet rruga arrestimit të Ballukut.

Reagimi i plotë i Gazment Bardhit:

“3 të vërteta për ndërhyrjen e Ramës në një hetim aktiv:

Kur një Kryeministër ndryshon ligjin ndërkohë që po hetohet bashkëpunëtorja e tij më e afërt, ai nuk po mbron ndonjë parim kushtetues apo ligjor. Po mbron pushtetin e vet të korruptuar. Rregullat nuk ndryshohen në mes të hetimit për të shpëtuar veten.

Kur Qeveria dhe Kuvendi bashkohen për të goditur vendimin e dy gjykatave në lidhje me një hetim penal aktiv, kemi dy pushtete që përpiqen të ndikojnë të tretin. Kjo nuk është ndarje pushtetesh. Është presion i organizuar kundër drejtësisë.

Kur thuhet se “nuk ka urgjencë” për kërkesën e SPAK-ut për arrestimin e Belinda Ballukut, mesazhi është i qartë: Drejtësia duhet të presë. Pushteti ka nevojë për blerje kohe.

Pezullimi nga ushtrimi i funksionit publik nuk është shpikje e SPAK-ut. Është i shkruar në Kodin e Procedurës Penale. Ai vlen për çdo funksionar publik.

Për ministër. Për zëvendëskryeministër. Për kryeministër.

Kur ekzistojnë kushtet ligjore, mund të pezullohet kushdo, sepse pezullimi nuk paralizon shtetin. Paralizon vetëm personin nën hetim për të shmangur ndikimin përmes funksionit.

Arresti kërkohet kur rrezikohet hetimi përmes intimidimit të dëshmitarëve apo cenimit të provave. SPAK ka sjellë prova se këto rreziqe janë konkrete në rastin e Belinda Ballukut. Pra, janë dy masa paralele. Njëra mbron procesin penal, tjetra mbron institucionin.

T’i ngatërrosh ato, siç bën Edi Rama, është deformim i së vërtetës me qëllim pengimin e drejtësisë.

Ligji është i qartë. Nuk ndryshohet sepse prek pushtetin.

Këshilli i Mandateve duhet të mblidhet pa justifikime, pa shtyrje artificiale, pa manovra politike. Kryetari e Kuvendit duhet të zgjedhë: ose në anën e ligjit, ose në anën e pengimit të drejtësisë”.

Të fundit