Flash News

Ditari i Opozitës

Bardhi shpërthen pas vrasjes së gjyqtarit: Rama, nxitësi kryesor kundër magjistratëve

Bardhi shpërthen pas vrasjes së gjyqtarit: Rama, nxitësi kryesor

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, reagoi ashpër pas ngjarjes së rëndë në Gjykatën e Apelit, ku u vra gjyqtari Astrit Kalaja. Ai deklaroi se një ngjarje e tillë nuk është parë as në vendet me prani të fortë mafioze, duke theksuar se as mafia italiane nuk ka guxuar të vrasë gjyqtarë brenda sallës së gjyqit.

Sipas Bardhit, përgjegjësia politike dhe morale për këtë klimë frike dhe pasigurie bie mbi kryeministrin Edi Rama, i cili, siç u shpreh ai, ka qenë nxitësi kryesor i një fushate verbale kundër sistemit të drejtësisë dhe magjistratëve të ndershëm.

Deputeti opozitar tha se Apeli është shndërruar në një “han pa porta”, ku askush nuk di kush hyn e kush del, ndërsa ngjarja e rëndë e një dite më parë dëshmon sipas tij mungesën e plotë të sigurisë në institucionet e drejtësisë.

Bardhi kritikoi edhe reagimin e Ministrisë së Brendshme, duke e cilësuar atë të pavend dhe të papërgjegjshëm, pasi sipas tij kjo ministri nuk ka rol në garantimin e sigurisë brenda gjykatave. Ai shtoi se edhe reagimi i Kryeministrit ishte “më skandalozi”, pasi, në vend që të merrte përgjegjësi për situatën, sipas tij, fajësoi gjyqtarët që ndihen të pasigurt në vendin e punës.

Në vijim, Bardhi kujtoi se është Këshilli i Ministrave ai që përcakton rregullat e sigurisë në gjykata, dhe që prej vitit 2020, qeveria kishte hequr policinë nga ruajtja e institucioneve të drejtësisë, duke i lënë gjyqtarët të pambrojtur.

Sipas tij, kjo ka sjellë pasoja dramatike, duke lejuar që persona të armatosur të hyjnë lirshëm në sallat e gjyqit. Bardhi theksoi se policia është zhvendosur nga funksioni i saj bazë për të mbrojtur zyrtarët e drejtësisë dhe tani, siç u shpreh ai, “është bërë qesharake” dhe përdoret kundër qytetarëve në mbrojtje të pronave të pushtetit.

Ai shtoi se reagimi institucional ka qenë i pamjaftueshëm dhe se vrasja e gjyqtarit duhet të tronditë të gjithë shoqërinë. Bardhi akuzoi Ramën se me sulmet e tij ndaj gjyqtarëve ka krijuar klimën e vetëgjyqësisë dhe dhunës ndaj drejtësisë, duke e quajtur këtë “realitetin tragjik të Shqipërisë së vitit 2025”.

Në përfundim, Bardhi tha se Këshilli i Lartë Gjyqësor reagon vetëm kur ndodhin vrasje, por hesht kur gjyqtarët sulmohen publikisht nga vetë kryeministri, i cili “i vret me fjalë” dhe nxit urrejtjen ndaj drejtësisë.

 

Të fundit