Flash News

Ditari i Opozitës

Basha: Anëtarët e qeverisë në përgjimet e antimafias italiane, llumi u fut në Parlament

Basha: Anëtarët e qeverisë në përgjimet e antimafias

Kryedemokrati Lulzim Basha ka folur në Kuvend për krimin dhe pastrimin e parave. Ai ka hedhur akuza se krimi ka hyrë në Parlament, bashki dhe institucione. Teksa ka folur për ndryshimet në ligjin për pastrimin e parave që pritet të miratohen në Kuvend, Basha u shpreh se qeveria nuk mund ta frenojë këtë fenomen, duke shtuar se është ajo që i ka dhënë mbështetje.

"Kjo pseudo-mazhorancë, anëtarë të së cilës prej disa vitesh shfaqen rregullisht në përgjimet e antimafias italiane e jo vetëm, ka sjellë në këtë seancë një projektligj me disa ndryshime mbi ligjin e parandalimit të pastrimit të parave.

Te të gjithë ata që e njohin mirë realitetin e përditshëm të Shqipërisë, qofshin shqiptarë apo të huaj, ata e që kanë parë e shohin përditë se si gjatë sundimit të kësaj pseudo-mazhorance, institucionet u gangsterizuan, llumi i shoqërisë u fut lirshëm në parlament e bashki, krimi i organizuar ka sekserët e tij në nivelet më të larta të qeverisë, në mendjet e të gjithëve", tha Basha. 

Ky i fundit shton se zyrtarë të lartë të qeverisë dolën në përgjimet e antimafias italiane. Sipas tij, qeveritarë dhe persona të botës së krimit bënë plane për tendera, koncesione dhe leje ndërtimi të jashtëligjshme

"A mund të jenë këta që në janar të këtij viti dolën në përgjimet e antimafias së Katanzaros, me titujt e tyre si kryeministër, ministra apo kryetarë bashkie, ku pjesëtarë të një nga organizatave mafioze më të rrezikshme në botë, Ndraghetës, bënin plane për leje ndërtimi korruptive, tendera dhe koncesione, dhe llokma të përcaktuara qartë e me përqindje të majme, garantët që paratë nuk do të pastrohen më në Shqipëri?

A mund të jenë këta që jo 2 javë më parë dolën përsëri në përgjimet e antimafias italiane, këtë herë me një tjetër organizatë mafioze, po aq të rrezikshme sa Ndragheta, Cosa Nostra, si garantët e një operacioni të pastrimit të parave, për të cilin merrej si i mirëqenë bashkëpunimi i zv. kryeministrit dhe drejtuesit të Drejtorisë të Pastrimit të Parave, autorët e iniciativave parandaluese?"-u shpreh kryedemokrati.

 

Të fundit