Flash News

Ditari i Opozitës

Basha ‘braktis’ fushatën për 6 marsin, nis konsultat për Reformën Territoriale

Basha ‘braktis’ fushatën për 6 marsin, nis konsultat
Lulzim Basha gjatë tryezës për Reformën Territoriale

Kur na ndajnë edhe tri javë nga dita e zgjedhjeve të pjesshme lokale në 6 mars, Partia Demokratike e udhëhequr nga Lulzim Basha nis konsultimet me ekspertë për Reformën Territoriale.

Pasditen e kësaj të marte, Basha ka marrë pjesë në tryezën, ku po prezantohen idetë e para për ndryshimet që mund t’i bëhen ndarjes administrative të vendit.

Sipas Bashës, qytetarët paguajnë dhe nuk marrin shërbim, ndërsa reforma në 2014-ën kur u miratua sipas tij u konceptua si ndarje politike për të marrë pushtet sepse përmes pushtetit vidhen paratë.

Nga çdo shqiptar kudo që ndodhet, a ka një njeri që nuk e kupton: që mungesa e pushtetit vendor dhe centralizimi është bërë për afera si këto. Dhe afera si këto nuk mund të ndodhin nëse funksionon pushteti vendor. 17 akte nuk ka forcë për ti marrë brenda një dite përveç kryeministrit të vendit. Prandaj është vjedhja e shekullit.

U konceptua si ndarje politike për të marrë pushtet sepse përmes pushtetit vidhen këto para. Ri ndarja territoriale e Shqipërisë është një domosdoshmëri urgjente. E duan shqiptarët nga jugu në veri”, deklaroi Basha.

Pak ditë më parë, Partia Demokratike ngriti grupin e punës të kryesuar nga Roland Bejko dhe pritet që seancën e ardhshme në Kuvend të miratohet përbërja e komisionit të posaçëm parlamentar.

Reforma territoriale e vitit 2014 u miratua në Kuvend vetëm nga shumica e majtë pasi PD në opozitë e bojkotoi seancën parlamentare. Të djathtët e kundërshtuan ndarjen e re territoriale me argumentin se nuk i shërbente decentralizimit të pushtetit vendor, afrimit të shërbimeve tek qytetarët dhe se sipas tyre fshihte qëllime elektorale. 

Kujtojmë se në seancën e fundit parlamentare, Lulzim Basha dha votat për zgjatjen e afateve të institucioneve të Vetting në këmbim të ngritjes së dy Komisioneve Parlamentare, një për reformën territoriale dhe tjetri për atë zgjedhore.

Nga ana tjetër, ndryshe nga Basha, PS dhe koalicioni ‘Shtëpia e Lirisë’, e themeluar nga ish kryeministri Sali Berisha vijojnë fushatën në 6 bashkitë e vendit duke prezantuar kandidatët e tyre për zgjedhjet vendore të 6 marsit.

Të fundit