Flash News

Ditari i Opozitës

"Basha ishte në dijeni të vendimit të DASH", kryedemokrati i përgjigjet Nishanit: Çdo gjë e ka një limit

"Basha ishte në dijeni të vendimit të DASH",
Lulzim Basha, Bujar Nishani

Kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar lidhur me një deklaratë të kreut të Këshillit Kombëtar, Bujar Nishanit, i cili tha se kryetari i PD-së, ka qenë në dijeni të vendimit të DASH për shpalljen non grata të ish-kryeministrit Sali Berisha.

Përmes një postimi në orët e vona të mbrëmjes të së enjtes, Basha thotë se ka një limit, i cili sipas tij, është tejkaluar nga Nishani. Ai thekson se këto deklarata vijnë për një çështje që ka prekur thellë jo vetëm Berishën, por të gjithë partinë.

Duke e cilësuar deklaratën e Nishanit një shpifje, ai thotë se këto qëndrime iu shërbejnë individëve që kërkojnë të përçajnë PD. Basha shton se ka refuzuar reagimet që nxisin përçarje. Gjithashtu mohon të gjitha akuzat dhe personale dhe politike që i janë adresuar.

"E kam nisur fushatën për zgjedhjet brenda partisë me bindjen se nga kjo garë duhet të dalim më të fortë dhe më të bashkuar. Kam refuzuar reagimet që nxisin përçarje edhe pse çdo ditë ndaj meje janë hedhur sulme personale dhe politike të pavërteta dhe të padrejta. Por çdo gjë e ka një limit.

Ndaj sot hedh poshtë me neveri shpifjen e ulët të Bujar Nishanit. Inati e mllefi personal e ka një limit. Por sot ai limit është kaluar, sepse lidhet me një çështje që ka prekur thellë jo një individ, jo Sali Berishën por gjithë partinë tonë. Këto shpifje të ulëta i shërbejnë vetëm atyre që bëjnë gjithçka të përçajnë Partinë Demokratike. Dhe unë këtë nuk do ta lejoj", shkruan Basha.

Të fundit