Flash News

Ditari i Opozitës

Basha me përfaqësues të Energjisë së Rinovueshme: Nga ndryshimet arbitrare fituan vetëm një grusht njerëzish, për ne është sektor kyç

Basha me përfaqësues të Energjisë së Rinovueshme: Nga

Kryetari i PD, Lulzim Basha gjatë një takimi me përfaqësues të Shoqatës së Energjisë së Rinovueshme, shpjegoi planin e tij për energjinë, ku fokusi kryesor ishte tek angazhimi i qeverisë së tij pas 25 prillit për të vënë në lëvizje prodhimin e energjisë së rinovueshme.

Gjatë një takimi të zhvilluar në selinë e PD, Basha shpalosi detaje të programit si dhe mori prej përfaqësuesve të shoqatës edhe adresime shumë  të rëndësishme për këtë sektor me të ardhme sa i përket energjisë.

Gjatë fjalës së tij, Basha tha se PD do ta reformojë këtë sektor duke bërë liberalizimin e vërtetë të tregut, duke filluar me miradministrimin e kompanive publike, duke krijuar një mjedis të qëndrueshëm, të parashikueshëm dhe miqësor, por edhe për investitorët e tjerë privatë të brendshëm dhe të huaj.

Sipas Bashës, ky sektor do të mbështetet me politika të qarta dhe me masa të qarta.

Pjesë nga fjala e Bashës: 

Lulzim Basha: Përshëndetje dhe ju uroj mirëseardhjen përfaqësuesve të Shoqatës Shqiptare të Energjisë së Rinovueshme. Brenda një periudhë afro 2 vjeçare, jemi takuar disa herë së bashku, por edhe me ekspertët tanë më të mirë me qëllim hartimin e një plani realist ambicioz dhe produktiv për Shqipërinë në dy drejtime: Në drejtimin e maksimizimit të prodhimit të energjisë së rinovueshme dhe në drejtimin tjetër që ka të bëjë drejtpërdrejtë me rolin që energjia ka në strukturën e ekonomisë shqiptare, në konkurueshmërinë e bizneseve shqiptare dhe në aftësinë e bizneseve shqiptare për të hapur vende pune dhe vende pune me paga dinjitoze, pra me fjalë të tjera për t’iu larguar ciklit negativ që ka karakterizuar këto 8 vite dhe për të nisur një cikël pozitiv ku potenciali është i jashtëzakonshëm e në veçanti potenciali i energjisë së rinovueshme ndonëse ka filluar të përdoret në dy dekadat e fundit, prapë se prapë mbetet në masë të madhe i pashfrytëzuar.

Për këtë ju nuk keni absolutisht asnjë përgjegjësi. Madje mund ta them me gojën plotë se të pakët janë sipërmarrësit që do të duronin, mbijetonin, prodhonin dhe vazhdonin në kushtet e një ambienti kaq jo miqësor, madje mund ta them me gojën plotë, kaq armiqësor ndaj sipërmarrjes në tërësi dhe ndaj disa sektorëve të veçantë të sipërmarrjes, siç është dhe sektori juaj.

Në veçanti ju jeni goditur nga një nga problemet kryesore që Banka Botërore, FMN-ja, Bashkimi Europian, Departamenti i Shtetit dhe raportet e ndryshme, duke përfshirë ato anti-korrupsioni, si Tansparenc Internacional, kanë nënvizuar; që është mungesa e parashikueshmërisë, ndryshimi i rregullave të lojës në mes të lojës, dhe vendosja e masave arbitrare, të pajustifikuara pa ju dhënë mundësinë që ju të keni një rekurs të vërtet ligjor, i cili të vërë drejtësi aty ku shteti është palë me ju, por nuk zbaton detyrimet e veta. Si rezultat i mungesës totale të luajalitetit nga ana e qeverisë në këto 8 vite, ne kemi humbur mundësi të jashtëzakonshme. Mundësi për të zhvilluar sektorin, mundësi për të investuar, mundësi për të përqafuar avancimin e shpejtë të teknologjisë. Dhe si rezultat i kësaj kush ka humbur? Keni humbur ju, sektori juaj, investitorët, ka humbur sipërmarrja shqiptare që paguan koston më të lartë të energjisë në rajon, dhe humbësi fundor por më i madh është qytetari shqiptar, është familja shqiptare. Ka humbur dhe shteti miliona, dhjetëra miliona, qindra miliona, që do t’i përfitonte drejtpërdrejtë dhe indirekt nëse nuk do të ekzistonte kjo situatë. Kush ka përfituar? –një grusht të korruptuarish.

 

E shikojmë se ku jemi në raport me vendet e tjera të rajonit. E shikojmë se ku jemi në raport me ata të cilët kur ju ishit në start, ishin prapa jush. Për ta thjeshtuar diskutimin. Deri më sot kemi një situatë ku keni mbijetuar, punuar, krijuar, prodhuar, punësuar dhe paguar edhe nga xhepat tuaj të punësuarit me një qeveri armiqësore në tërësi ndaj biznesit. Ju garantoj se në themel të platformës tonë për energjinë qëndron një qasje kryekëput ndryshe.

Ku ju do t’u shohim si aleat për të bërë të mundur që së bashku ta zhvillojmë këtë sektor i cili do ta bëjë Shqipërinë më të pastër, energjinë më të pakushtueshme, biznesin më konkurrues dhe si rezultat do të jetë një nga levat e fuqishme të objektivit tonë për 110 mijë vende pune në katër vitet e mandatit tonë të parë. Prandaj përdora fjalën aleat, sepse na bashkon misioni. Jo ortak, nuk do na bashkojnë aksionet, qofshin këto aksione të fshehura në emra të tjerë apo ryshfet me lekë të thata në xhep apo në konto bankare. Po do na bashkojë misioni, misioni. Na ndajnë shumë gjëra dhe duhet të na ndajnë dhe do të na mbajnë të ndara, se përndryshe, në qoftë se nuk na mbajnë të ndara, në qoftë se turbullohet një linjë që do ta ndajë qartë dhe do ta pres me thikë vendimmarrësin publik nga sektori privat, gjërat do të shkojnë kështu siç kanë shkuar. Por na bashkon misioni dhe këtë mision, nesër qeverinë e pas 25 prillit, qeverinë time dhe mua personalisht do më keni aleat me një kërkesë të vetme ndaj jush, të jeni aleatët e mi, qeverisë, qeverisjes së ardhshme dhe shqiptarëve në atë mision, të rritjes së punësimit, të rritjes së konkurueshmërisë, të diversifikimit të eksportit shqiptar, eksportit të energjisë po kështu. Pra, të misionit të rimëkëmbjes ekonomike dhe nxjerrjes së Shqipërisë nga kjo krizë e thellë ku është futur.

Padiskutim keni dëgjuar paketën e plotë për biznesin që u prek dhe ju, që nga ulja normës së tatim fitimit nga 15% në 9%, sigurimeve shoqërore në 18%, të çmimit të karburantit duke eliminuar taksën Rama prej 240 lekë të vjetra apo 24 lekë të reja për litër, sikundër edhe reforma rregullatorë, e cila ka për qëllim të thjeshtojë në maksimum ndërveprimin ndërmjet qeverisë, burokracisë dhe sektorit të sipërmarrjes ku do ti japim fund paradoksit që 1000 zyrtarë të shtetit sot mbajnë vula në xhepa dhe ju kërkojnë leje, autorizime, licenca për çdo gjë, që nga momenti që dilnin nga shtëpia deri në momentin kur futeni në shtëpi. Ju kërkojnë autorizim për gjithçka. Ndoshta me përjashtim të frymëmarrjes, për gjithçka tjetër ju kërkojnë leje, autorizime, licenca dhe janë kthyer në shushunja shkatërrues të sistemit të tregut të lirë dhe të konkurrencës së lirë. Angazhimet tona shkurtimisht, sektori i energjisë elektrike për ne është sektor kyç dhe prioritet. Si i tillë do të mbështetet me politika të qarta dhe me masa të qarta.

Ne do ta reformojmë këtë sektor duke bërë liberalizimin e vërtetë të tregut, jo atë në letër që na tundte virtualit edhe para dy ditësh kjo qeveri që dështoi me bursën e energjisë, duke filluar me miradministrimin e kompanive publike, të cilat janë të fundosura nga korrupsioni, paaftësia dhe nepotizmi; duke krijuar një mjedis të qëndrueshëm, të parashikueshëm dhe miqësor, në radhë të parë për ju por edhe për investitorët e tjerë privatë të brendshëm dhe të huaj apo join venture; duke respektuar kontratat e nënshkruara me përfitime reciproke, si për biznesin ashtu dhe për publikun dhe qytetarët shqiptarë; duke nxitur fuqimisht investimet e reja, veçantisht eolike dhe solare, të erës dhe të diellit. Këtë promovim do ta bëjmë duke përdorur edhe politika subvencionuese në përputhje totale me politikat e BE ku është synimi të anëtarësojmë Shqipërinë brenda një kohe sa më të shkurtër pas 8 vitesh ngecje në vend.

Pa diskutim energjia hidrike mbetet shtylla kurrizore e sistemit energjitik shqiptarë, por jam i bindur që me pasurimin e burimeve dhe diversifikimin e tyre, në veçanti sa i përket energjisë diellore edhe asaj eolike, do bëjmë të mundur që edhe vlerën e energjisë hidrike ekzistuese dhe asaj në të ardhmen ta shumëfishojmë dh eta bëjmë që të punojë për ekonominë shqiptare, për sipërmarrjen shqiptare, për koston e prodhimeve shqiptare që do të thotë për eksportin shqiptarë dhe në vetvete për eksportin e energjisë që është një synim dyfish strategjik për fitimet financiare që I sjell Shqipërisë dhe për kthimin e Shqipërisë në një lojtarë strategjik rajonal sa i përket energjisë. Për të gjitha këto jemi ulur këto vite për t’iu dëgjuar, për të ndjekur problemet tuaja. kemi ngritur zërin për këto problem, pa diskutim kanë rënë në vesh të shurdhër, përkundrazi zullumi është shtuar e shtuar.25 Prilli është dita të presim së bashku nyjën gordiane që mban të lidhura këto problem.

25 Prilli është dita ku të gjithë duhet të marrim përgjegjësitë për të ndryshuar. 25 Prilli është dita ku zgjedhja është shumë e thjeshtë, vazhdohet dot më kështu apo do të ndryshohet ? Sot nuk keni vetëm pyetjen para jush , por keni edhe arsyet pse 25 Prilli do jetë një ditë ndryshimi dhe fitore për të gjithë, jo thjeshtë për një parti politike apo një koalicion  partish, por për sipërmarrjen shqiptare, për të punësuarit tuaj, për vizionin tuaj, për ëndrrat tuaja të realizuara dhe që mezi I mbani në këmbë dhe për ëndrrat që flenë në sirtarë dhe që nesër do të kenë mbështetjen totale të një qeverie aleate të sipërmarrjes në çdo fushë e në veçanti të energjisë së rinovueshme si një sektor kyç, strategjik që do të përmirësojë cilësinë e jetës, të ajrit, të mjedisit dhe koston energjisë që  prek drejtpërdrejt xhepat e çdo familje shqiptare dhe natyrisht prek ekonominë dhe biznesin në tërësi. Edhe njëherë ju falënderoj nga zemra për pjesëmarrjen në këtë takim.

 

Asgjë nga ato që kemi shpalosur nuk përbën premtim por përbën një angazhim. Asgjë prej tyre nuk është në vet vete por është pjesë e një plani të tërë masash dhe vet platforma jonë për energjinë është pjesë e një plani të madh ekonomikë dhe duke u bazuar në përvojat më të suksesshme të cilat janë të dy llojeve. Janë përvoja suksesi ku siç e cekët dhe vet shtetin e keni pasur aleatë në një mision të përbashkët, jo ortak por aleatët dhe është po kështu sukses të mbijetosh kur shtetin e ke armik apo e ke aleatë që të futet me zorrë, me dhunë në xhep apo në aksione apo të zhvendos me dhunë biznesin nga energjia apo prodhimi drejt trafiqeve të paligjshme me koston që paguajnë pastaj që u përmend edhe nga ju. Problemet besoj i parashtruam shumë qartë. Analizën e këtyre problemeve kemi dy vite që e bëjmë. Zgjidhjet tona janë zgjidhje që funksionojnë.

Problemi i parë do keni një derë, jo një mijë dyer ku të shkoni të trokisni edhe ajo derë nuk do hapet me kafe, me zarfe, me telefonata apo me miqësi por do të garantojmë transparencë totale sipas përvojave më të mira anti-korrupsion dhe transparencë totale që ajo derë të jetë derë e shërbimit ndaj jush. Dhe shërbimi i vetëm që do kërkojmë ne nga ju janë këto 15 mijë vendet e punës që keni hapur kur ndërtuat këto që keni deri më sot. Ti dyfishoni. Shërbimi i vetëm që do të  kërkojmë ndaj jush është të bëheni pjesë mbi bazat e konkurrencës së drejt të një tregu të liberalizuar që të ulet çmimi i energjisë që është skandaloz për industrinë shqiptare dhe na e ka nxjerr 95% të industrisë shqiptare jashtë konkurrencës me Ballkanin, mos të bëhet fjalë për gjera të tjera.

Favori i vetëm që do të kërkojmë ndaj jush është që ai që investoj 60 dhe kishte 90 të tjera për të investuar ta ndiej që tani ka ardhur momenti të vij t’i investoj ato 90 të tjera. Ai tjetri që ka investuar në hidrocentrale dhe ka menduar të investoj ku di unë në minerale apo diku tjetër ta shohë që Shqipëria është përsëri e hapur për biznes, që është një vend oportunitetesh të jashtëzakonshme mundësish natyrore, burime natyrore dhe mundësish njerëzore dhe një qeverie që është aleate e sipërmarrjes. Këto janë favoret e vetme që kërkojmë ne ndaj jush. Sigurisht do garantojmë fair-play, është detyra jon. Pjesë e kësaj detyre është ti japim fund monopoleve de fakto dhe De Juro që janë krijuar. Për ne interesi publik është themeli i gjithçkaje. Sa kohë që ju na kurseni 230 milionë euro me prodhimin tuaj. Sa kohë që ju na bëni që 300 milionë euro shtesë me të cilat importojmë energji, ti çojmë për rrije rrogash, pensionesh, për mjekët, për mësuesit, për shkolla të reja, për rrugë, për subvencione për fermerët ju jeni aleatët tanë dhe është detyra jonë nesër t’ju qëndrojmë në krah për mos t’ju thënë t’ju mbajmë në supe në vend që t’ju hipim super ju, mbi qafë. Kjo është përqasja jon, ky është programi ynë, këto janë angazhimet tona. Janë konkrete, janë me shkrim dhe angazhimi i të gjithë angazhimeve është që në qoftë se s’i mbajmë këto angazhime ne nuk dalim më para jush të kërkojmë një mandat tjetër. Nuk ka asnjë pengës për mos t’i marrim këto angazhime.

Absolutisht as edhe njëlloj pengese, vetëm vullneti politik, vetëm dëshira për të bërë diçka për këtë vend, vetëm dashuria për këtë vend dhe bindja se nuk i mungon asgjë përveçse një qeverisje e mirë, një qeverisje normale, tjerat i keni bërë dhe vazhdoni i bëni ju dhe kolegët tuaj në çdo sektor dhe profesionistët e lirë edhe mjekët, edhe mësuesit i vetmi që s’ka bërë detyrën 8 vjet ka qenë kryeministri, e vetmja që s’ka bërë detyrën 8 vjet ka qenë qeveria. E unë nuk ju garantoj as nuk ju premtoj mrekulli por normaliteti jua premtoj. Dhe kur flas për normalitet flas për normalitet europian. Qeveria që do të vij  do të jetë një qeveri e kualiteteve dhe e përgatitjes europiane. Europiane në radhë të parë do të thotë që nuk do të ketë një mijë myhyr-mbajtës që të shkoni ju të faleni kudo, të kujtohen ata një herë në dy javë për këtë licencë, për atë leje apo atë leje apo autorizim. Jo do ketë një derë për ju dhe ajo derë do shërbejë me transparencë, do shërbejë sipas ligjit do shërbejë me dinjitet. Pa bërë lojë ping pongu midis pushtetit qendror dhe pushtetit vendor.

Mbështetja për energjinë e rinovueshme dhe në veçanti për diversifikimin por dhe për hidriken e thashë është shtylla kurrizore dhe vazhdon të mbetet shtylla kurrizore, por diversifikimi do të jetë prioritet absolut, është prioritet kombëtar. Është një ndër prioritetet kombëtare krahas turizmit, krahas bujqësisë, krahas thithjes së investimeve të huaja në fushën e teknologjisë së informacionit dhe transferimi i teknologjisë së përparuar janë fushat më prioritete për ne për të cilat nuk do të kursejmë as politikat subvencionuese por pa diskutim do të bëjmë gjithçka për të lehtësuar në prioritetet tuaja dhe për t’iu nxitur për të investuar më shumë.

Përfituesit do të jenë shqiptarët. Përfituesit e parë do të jenë ata mijëra njerëz që ju do merrni në punë, kur te ndizni dhe të rindizni dhe një herë motorët tuaj të investimeve. Përfituesit do jenë ata miliona shqiptarë që do e paguajnë çmimin e energjisë më të lirë. Përfituesit do të jenë fëmijët e shqiptarëve që do të thithin ajrin më të pastër dhe do të kenë ambientin më të pastër dhe këtu padiskutim që ne do të jemi të ndershëm por të prerë në angazhimet që keni dhe duhet të mbani për sa i përket jo thjeshtë mjedisit, rehabilitimit të mjedisit, mbjelljes siç thatë apo të rimbjelljes së bimësisë së pemëve, por dhe për sa i përket komunitetit në raport me rrjetin e infrastrukturës ku padiskutim kjo duhet të shikohet si një partneritet, kjo është pjesa e partneritetit me shtetin sepse janë vërtetë zona që përfitojnë punësim por ku padiskutim mundësitë tona për të mbuluar me një kohë të shkurtër me investime me infrastrukturën do vazhdojnë të mbeten relativisht të kufizuara ndaj edhe këtu duhet të vazhdojmë të mbështetemi tek njëri-tjetri.

Kjo do na kalojë nga një formulë ku humbim të gjithë me përjashtim të një njeriu apo një grushti njerëzish, siç është sot dhe ka 8 vjet që vetëm njëri përfiton dhe ata të lidhur me të që janë një grusht njerëzish dhe gjithë të tjerët humbasin, kjo do të na çojë drejt një formule tjetër  ku do fitojnë të gjithë por në radhë të parë konsumatori shqiptar privat dhe sipërmarrësi shqiptar me çmimin e energjisë, në radhë të dytë ata që kërkojnë punë dhe do ta gjejnë punën më afër se kurrë afër shtëpisë së tyre, në radhë të tretë tek një industri që kemi shpresa të arsyeshme se do të jetë motor rritje dhe zhvillimi kombëtar por dhe shtetëror se jeni të gjithë taksapagues dhe sigurisht e fundit shteti shqiptar që ju siguroj se këto taksa nuk do ti shpërdorojë ashtu siç ka ndodhur deri më sot por do ti përdor për të nxitur edhe më tej një klimë ekonomike punësimi, mirëqenieje, rrogash të larta, kostoje jetese përballueshme e në veçanti një strukturë kostoje ekonomike ku energjia mbetet kyç për konkurrueshmërinë.

Ndaj dua t’iu drejtohem sot dhe t’iu them kjo është një sipërmarrje e përbashkët, është një sipërmarrje kombëtare dhe 25 prilli do ta ndajë, do të përfitojë prapë ai që ka përfituar 8 vjet bashkë me një grusht njerëzish që ngrysen e gdhihen në paradhomat e tij në kryeministri sot apo në vilat e Durrësit dhe të Dhërmiut apo në Surrel, e do të vazhdojë emigrimi dhe largimi i shqiptarëve që do të thotë shkatërrimi i vendeve të punës, që do të thotë emigracion masiv i rinisë apo në 25 prill do të humb ai dhe do të fitojnë të gjithë të tjerët?! Sipërmarrësit, punëmarrësit familjet e tyre, fëmijët e tyre, e gjithë Shqipëria. Kjo është zgjidhja më 25 prill dhe këtë pa pikë kompleksi ju ftoj të bëni angazhimin tuaj kombëtar, në 25 prill ta presim këtë nyjë gordianë që mban të lidhur ekonominë kombëtare dhe të bëhemi të gjithë bashkë pjesë e një zgjimi kombëtar, një zgjimi ekonomik kombëtar ku unë do ti qëndroje angazhimit tim, dhe qeveria e ardhshme do ti qëndrojë angazhimit që energjia e rinovueshme të jetë prioritet kombëtar dhe ti prijë këtij zgjimi ekonomik kombëtar.

 

Të fundit