Flash News

Ditari i Opozitës

Basha takon mjekët: Fshehja e numrit të vdekjeve garanton vazhdimin e letargjisë qeveritare, mjekët asnjë faj

Basha takon mjekët: Fshehja e numrit të vdekjeve garanton vazhdimin e

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka zhvilluar një takim me mjekë dhe ekspertë të shëndetësisë lidhur me situatën e krijuar nga pandemia covid-19 në vendin tonë.

Basha ngriti sërish problemin e mungesës së testimeve, mbingarkesën e spitaleve coivd, apo debatin për fshehjen e numrit të vdekjeve, që sipas tij garanton vazhdimin e letargjisë qeveritare. Basha thekson se mjekët e infermierët nuk kanë asnjë përgjegjësi në këtë politikë të fshehjes së viktimave

 “Takimi i sotëm është në vazhdën e konsultimeve që kam pasur me një numër të madh prej kolegëve tuaj, pasi është e domosdoshme për ne të dëgjojmë drejtpërdrejtë dhe zërin tuaj.

Kemi kërkuar të paktën që testimet të jenë në nivelin minimal të OBSH-së.

Mostestimi është politikë zyrtare e qeverisë dhe për rrjedhojë ka përhapur infeksionin, ka paralizuar kapacitetet planifikuese, ka kolapsuar spitalet.

Aktualisht, mbingarkimi i spitaleve rrit rrezikun e vdekjes së pacientëve. Edhe sa njerëz duhet të vdesin deri kur të merren vendimet e duhura politike. Kapacitetet hospitalizuese nuk janë vetëm shtretërit, por edhe aparaturat dhe ilaçet”, tha Basha.

Kryedemokrati shtoi se vendimet për menaxhimin e situatës është jo i mjekëve, por i politikanëve. “Fshehja e numrit të vdekjeve garanton vazhdimin e letargjisë qeveritare. Çfarë po bëhet për të pajisur spitalet e për të mbrojtur mjekët?

Mjekët, infermierët nuk kanë asnjë përgjegjësi në këtë politikë të fshehjes së viktimave, por qeveria po orvatet t'ua faturojë mjekëve përgjegjësinë. Qeveria të zgjidhë qesen për mjekët, jo vetëm për inceneratorët.

Gjithë zinxhiri i administrimit të pandemisë është në kolaps, duke sjellë manipulimin e numrit të viktimave. Përgjigjja e qeverisë ndaj rëndimit të situatës, fshehje e shifrave të vdekjeve. I kam bërë thirrje Prokurorisë të hetojë prej 6 ditësh”, tha Basha.

Të fundit