Flash News

Ditari i Opozitës

“Bëri sikur iku në vitin 2013”, Basha: Berisha betejën nuk e ka me mua. Konflikti i tij me SHBA na ka kushtuar shumë

“Bëri sikur iku në vitin 2013”, Basha: Berisha

Kryedemokrati Lulzim Basha ka shënjestruar ish kryeministrin Sali Berisha gjatë fjalës në Kuvendin Kombëtar.

Sipas Bashës, Berisha nuk e ka betejën me të, por me SHBA e cila e shpalli ‘non ngrata’. Sipas Bashës, ai është pengesë e Berishës për ta kthyer PD-në në bunker anti-amerikan.

Basha: Kriza që po përjeton këto muaj Partia Demokratike shpërtheu në datë 9 shtator, pas vendimit tim për pezullimin e Sali e Berishës.

Por kjo krizë nuk lindi atë ditë, ajo ka një parahistori  që  lidhet me raportin e Sali Berishës me Partinë Demokratike, të cilën e konsideron  pronë private, me bashkëpunëtorët e tij të cilët i konsideron kukulla, me demokratët e thjeshtë të cilët  po tregon se i konsideron numërorë topi për interesat e hallet e tij.

Kjo është kriza “Berisha”, që  ka vegjetuar gjatë në trupin e PD-së në  formën dhe përmbajtjen e kulturës të linçimit dhe terrorizimit të kundërshtarëve dhe mendimit ndryshe,  nga e cila ai nuk arriti të shkëputej kurrë. Kjo ndoshta mund të na jetë dukur e përshtatshme për disa kohë, madje edhe e volitshme atërherë kur batareja zbrazej drejt kundërshtarëve tanë, por kjo na ka armiqësuar për shumë gjatë me nje pjesë të madhe të popullsisë.

Kjo krizë shpërtheu ditën kur unë mora vendimin.

Xhindosja e tij zbuloi të vërtetën e hidhur se Sali Berisha bëri sikur iku në vitin 2013, por në fakt nuk iku kurrë.

Kjo krizë zbuloi gjithashtu se xhindosja e tij nuk është me Partinë Demokratike, nuk është me mua, që jam pengesa që ai ta kthejë atë në një bunker kundër aleatit strategjik të shqiptarëve dhe kundër interesave të demokratëve, por xhindosjen e ka me SHBA-të.

Sot, konflikti që Sali Berisha ka patur dhe po thellon dita ditës më shumë është i shpërfaqur në sytë e të gjithëve dhe nuk ka asnjë dilemë. Nuk ka më asnjë dyshim se e gjitha kjo na ka kushtuar shumë. I ka kushtuar shumë Partisë Demokratike dhe cdo anëtari dhe votuesi të saj. 

Ndaj sot është dita, në këtë kuvend, që ne të ndahemi qartësisht nga kjo fazë e cila na ka kushtuar shumë, na ka rraskapitur, na ka lënë jashtë aksesit të pushtetit, na ka lënë jashtë institucioneve, ka ulur ndjeshëm shanset për të ardhur në pushtet, ka ulur ndjeshëm shanset për të realizuar projektet tona për zhvillimin e Shqipërisë dhe demokracisë Shqiptare.

Unë dua të shpall sot vullnetin tim, si kryetari i Partisë Demokratike, për mbylljen e këtij kapitulli të gjatë konfliktimi me partnerët tanë strategjikë. Partneriteti i plotë dhe pa dilema me SHBA, partnerin tonë strategjik që ishte në krahun tonë në betejën për përmbysjen e komunizmit dhe fitores së forcave demokratike, dhe mezi pret të jetë me ne deri në fitoren e ardhshme të PD në krye të qeverisjes së vendit, është në themel të PD-së, është në kodin gjenetik të PD.

Dhe nuk ka nevojë për asnjë votim, asnjë matje, asnjë konfirmim, për asnjë proces i cili mund ta vendosë atë në diskutim. Ky partneritet është i thjeshtë, i natyrshëm, i plotë dhe i thellë.

Të fundit