Flash News

Ditari i Opozitës

Berisha: 2 mijë biznese u dogjën në mes të Tiranës për të ndërtuar kulla

Berisha: 2 mijë biznese u dogjën në mes të Tiranës

 Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar qeverinë se po shmang përgjegjësitë për përmbytjet në disa zona të vendit, ndërsa në të njëjtën kohë, sipas tij, janë djegur rreth 2 mijë biznese në mes të Tiranës për t’i hapur rrugë ndërtimit të kullave.

Në një deklaratë për mediat, Berisha vlerësoi angazhimin e deputetëve dhe drejtuesve të PD-së, duke theksuar se ata kanë qenë vazhdimisht pranë banorëve të prekur nga përmbytjet. Sipas tij, të vetmit që “u fshehën gjatë kësaj fatkeqësie” ishin qeveritarët, si në nivel lokal ashtu edhe qendror.

Berisha kritikoi deklaratat e kryeministrit Edi Rama për angazhimin e forcave në terren, duke i cilësuar si mashtrime. “Rama deklaroi se janë 6 mijë forca në terren, por një numër i tillë nuk ekziston as në borderonë e ushtrisë. Kjo është një paturpësi e madhe,” u shpreh ai.

Sipas kreut të PD-së, qeveria ka refuzuar qëllimisht të shpallë gjendjen e fatkeqësisë natyrore, pavarësisht situatës së rëndë në disa qarqe të vendit, përfshirë Durrësin, Lezhën, Mamurrasin, Fierin, Gjirokastrën dhe Novoselën, ku mijëra banesa vijojnë të jenë të përmbytura.

“Mosshpallja e gjendjes së emergjencës është kriminale. Ky është kushti i parë për krijimin e fondit të emergjencave dhe për t’u ardhur realisht në ndihmë qytetarëve,” tha Berisha, duke e cilësuar qëndrimin e qeverisë si cinik dhe tallës ndaj qytetarëve të prekur.

Ai akuzoi gjithashtu qeverinë se, ndërsa nuk ofron ndihmë për zonat e përmbytura, ka lejuar djegien e rreth 2 mijë bizneseve në tregun e Tiranës, duke lënë mijëra qytetarë pa vende pune dhe pa të ardhura. Sipas Berishës, ky veprim lidhet me plane për ndërtimin e kullave në atë zonë.

“Qindra mijëra shqiptarë visheshin në atë treg. Sot ata kanë humbur jo vetëm vendin e punës, por edhe mundësinë për të blerë rroba me çmime të përballueshme. Kjo ndodh sepse aty do të ndërtohen kulla, në interes të mafies së betonit dhe drogës,” deklaroi Berisha.

Deklarata përfundon me thirrjen e kreut të PD-së për angazhim maksimal të opozitës, duke e cilësuar qeverinë aktuale si një barrë të rëndë për qytetarët shqiptarë.

 

Të fundit