Flash News

Ditari i Opozitës

Berisha akuzon Ramën për ryshfet 10 mln euro: Refuzoi projektin e marinës së Durrësit

Berisha akuzon Ramën për ryshfet 10 mln euro: Refuzoi projektin e

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka hedhur akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke pretenduar se ky i fundit ka refuzuar një projekt për ndërtimin e marinës në Durrës për shkak të kërkesës për ryshfet.

Gjatë një deklarate publike, Berisha tha se projekti për marinën kishte përfunduar, ishte zhvilluar tenderi dhe ishte shpallur fituesi, por nuk u zbatua. Sipas tij, shkak u bë një kërkesë për 10 milionë euro.

Ai pretendoi se ekziston një bisedë e regjistruar mes kryeministrit Rama dhe biznesmenit Ylli Ndroqi, ku, sipas tij, kërkohej që investitori i huaj të paguante këtë shumë për të nisur projektin. Berisha shtoi se këto pretendime janë bërë publike edhe më herët nga vetë Ndroqi.

Sipas kreut të PD-së, refuzimi i këtij projekti çoi në dështimin e ndërtimit të një marine të planifikuar për Durrësin që prej vitit 2013. Ai akuzoi gjithashtu Ramën se më pas “i vuri syrin” Portit të Durrësit, duke ndryshuar planet për zhvillimin e tij.

Berisha kritikoi edhe idenë e zhvendosjes së portit në Porto Romano dhe projektin për zhvillimin e një kompleksi të madh rezidencial dhe turistik në zonën aktuale të portit, të cilin e krahasoi me një “Dubai të 1001 netëve”.

PJESE NGA FJALA

Ishte bërë projekti, ishte bërë tenderi, ishte shpallur fituesi dhe do fillonte puna dhe Durrësi do bëhej me portin e marinës që i takonte, që i mungonte.
Cila është historia?
Historia është kjo, është e regjistruar biseda e Edi Ramës me Ylli Ndroqin, në të cilën Edi Rama i thotë Ylli Ndroqit, i thuaj atij arabit tënd që pa 10 milionë euro nuk fillon punën.
Ylli Ndroqi i thotë, unë për 10 milionë nuk i them dot.
Kjo është e vërteta. Kjo është në dosje.
Këto i ka denoncuar Ylli Ndroqi.
Dhe ky refuzim rrëzoi projektin e shkëlqyer të portit të marinës për Durrësin, sepse Edi Rama donte së paku ryshfet 10 milionë.
E kemi denoncuar shumë herë, publikisht dhe në të gjitha mënyrat.
Dhe pastaj i vuri syrin portit mijëravjeçar.
Port, i cili kishte mundësi thellimi dhe një tender ishte bërë për ta thelluar në mënyrë që të merrte anije gjer në 50 mijë ton.
Dhe një nga kompanitë gjermane më të mëdha të fushës ishte prokuruar për këtë thellim të portit.
Ky del tani e thotë porti është pronë e imja.
Nuk ka njeri të pangopur, nuk ka njeri si ky.
Jo, thotë, do ta çoj në Porto Romano dhe këtu do ndërtohet Dubai i 1001 netëve i Edi Ramës.
Me armën e tij më ordinere, më të turpshme, mashtrimin, u tha shqiptarëve se do e ndërtojë arabi, do e ndërtojë Alabari.
Alabari, një person kontraversal, duhet ta pranojmë, por investitor, deklaroi se unë do investoj gjithsej 70 milionë, kaq është kapitali im.
Tjerat del se do investonte Franc Çopja për Edi Ramën.
Kush do investojë paratë për ndërtimin e 12.600 apartamenteve, e pesë-gjashtë hoteleve, për ndërtimin e marinës, për ndërtimin e pishinave?
Këto do i investonte Edi Rama me Troplinët, me Çopjat, me Çelët e tij.
Ata kanë miliardat, i kanë të groposura në kontejnerë dhe ata i nxjerrin.

Të fundit