Flash News

Ditari i Opozitës

Berisha: Në këto 13 vite, mundi i shqiptarëve është shndërruar në hotele e vila nga qeveritarët

Berisha: Në këto 13 vite, mundi i shqiptarëve është

Kreu i PD Sali Berisha ka zhvilluar “Foltoren” e radhës në Laprakë në një bashkëbisedim me qytetarët.

Berisha krahasoi qeverisjen e fundit me regjimet më mizore të historisë kombëtare, duke theksuar ndikimin dramatik të politikave të saj mbi shqiptarët.

Kryedemokrati u shpreh se në vetëm 10 vite, rreth 1.099.000 shqiptarë janë larguar nga vendi, duke përfshirë vetëm ata që shkuan në zonën e Shengenit, pa llogaritur qindra mijëra të tjerë në Shtetet e Bashkuara, Kanada, Amerikën Latine dhe Lindjen e Mesme.

Sipas tij, ndërkohë që diktatori Enver Hoxha shndërroi djersën dhe paratë e shqiptarëve në bunkera dhe tunele, qeveria aktuale i ka kthyer ato në pasuri personale, duke përfshirë vila, hotele dhe llogari miliona eurosh.

Berisha: Me një regjim që sa asnjë regjim tjetër në tërë historinë kombëtare, pakësoi në 10 vite shqiptarët më shumë se çdo epidemi, nga mortaja e zezë në vitet 1300, më shumë se çdo luftë, më shumë se çdo pushtim.

Dhe për të gjithë ne, njerëz patriotë, njerëz atdhetarë, kjo është goditja më e rëndë, më e tmerrshme që ka marrë Shqipëria dhe kombi shqiptar. Në 10 vite, përzuri nga Shqipëria me politikat që ndoqi, 1 milion e 99.000 shqiptarë vetëm në zonën e Shengenit.

Pa llogaritur qindra mijëra të tjerë në Shtetet e Bashkuara, Kanada, vendet e Amerikës Latine, vendet e Lindjes së Mesme dhe kudo tjetër. Së dyti, ne u përballëm këto 13 vite, me një regjim i cili plaçkiti më shumë se çdo regjim tjetër në histori, shqiptarët.

Në rast se diktatori mizor, paranojak, Enver Hoxha paratë dhe djersën e shqiptarëve e shndërroi në bunker dhe tunele, këta qeveritarë djersën, mundin, paratë tuaja e shndërruan në parajsë, e shndërruan në konto miliona, qindra milionëshe.

E shndërruan në vila, në hotele, e shndërruan në pasuri të pamasë. Nuk ka regjim më mizor se ai që kaluam në diktaturë, por ju them ju këtu me bindjen më të thellë, me sinqeritetin më të madh, se e gjithë Byroja Politike e Enver Hoxhës në 45 vite nuk ka vjedhur, s'të marrësh bashku, sa ç'kanë vjedhur tre drejtorët e Bashkisë së Tiranës, ndër të tjera, ndërtojnë hotelin 20 katësh në plazh që shkon të paktën 70 milionë euro.

Ua dhashë këtë shembull për të realizuar se çfarë regjimi ishte ky regjim. U përballët 13 vite me një regjim që në mënyrë të vendosur shkatërroi një nga një vlerat e sapo krijuara në këtë sistem demokratik.

Vlerat e një shoqërie të lirë, të cilat duhet të konsolidoheshin. Në qoftë se në diktaturë ne kishim një Zëri i Popullit që mashtronte shqiptarët, sot janë dhjetëra të tilla. Fletushka, portale, televizione që ju mashtrojnë nga mëngjesi gjer në darkë qytetarët shqiptarë. Glorifikojnë të keqen, fshehin të vërtetat.

Të fundit