Flash News

Ditari i Opozitës

Berisha nga Elbasani: Projekti për të zhdukur opozitën dështoi, Rama do përballet me protesta të pandalshme

Berisha nga Elbasani: Projekti për të zhdukur opozitën

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ndal sot në Elbasan gjatë rrugës për në ‘Foltoren’ e Korçës. Gjatë ndalesës, ai zhvilloi një takim me strukturat dhe mbështetësit e Partisë Demokratike në Elbasan, në kuadër të festave të fundvitit.

Në fjalën e tij, Berisha vlerësoi qëndresën e demokratëve gjatë 12 viteve të fundit, duke theksuar se përpjekjet për të asgjësuar opozitën kanë dështuar falë përkushtimit dhe sakrificës së qytetarëve. Ai deklaroi se Partia Demokratike ka mbetur e palëkundur në mbrojtje të vlerave demokratike, të votës së lirë dhe të dinjitetit njerëzor.

Kryetari i PD-së akuzoi qeverinë për kapje të institucioneve, korrupsion dhe shndërrimin e Shqipërisë në një shtet të drejtuar nga krimi i organizuar. Opozita ka arritur të faktojë para opinionit publik vendas dhe ndërkombëtar se proceset zgjedhore në vend janë të manipuluara dhe se pushteti aktual nuk buron nga vullneti i lirë i qytetarëve, shtoi ai.

Berisha theksoi se opozita nuk do të njohë asnjë pushtet të dalë nga manipulimi i votës dhe paralajmëroi intensifikimin e aksionit politik, përfshirë protesta të vazhdueshme qytetare, si mjet demokratik për rikthimin e shtetit ligjor dhe të standardeve demokratike.

Ne duam votën e lirë, duam shtetin ligjor. Ne nuk mund të pranojmë kurrë këta qeveritarë, të cilët, ju garantoj ju këtu. Byroja politike e Enver Hoxhës ishte gjakësore, por ama, ju them këtu 5D e Tiranës, drejtorët e Tiranës, po të marrësh të gjitha vjedhjet e tyre, janë më të mëdha se 5D e Tiranës. Po, ju them të vërtetën. Ju them të vërtrtën për të krahasuar se çfarë hajdutësh të tmerrshëm të xhepave tuaj, të pasurive tuaja janë këta qeveritarë.

Tani kanë dalë në dritë, siç janë. Tani, Edi Rama me Lubi Ballukun dhe të tjerë, ju thotë që: ju kemi vjedhur dhe do t’ju vjedhim. Po kush të le?

Pasi rrëmbeu votën, vetëm gjobat e kamatave të falura 2 para zgjedhjeve janë 2 miliardë euro. Me 2 miliardë euro blen zgjedhjet jo një vend me 1.4 milionë votues, por edhe një vend me 4 milionë votues.

Pra, armikun e kemi në fushë, e kemi përpara, e kemi frikacak, të ligë, e kemi dhe ne jemi të gatshëm për betejë me të.

Berisha: Projekti ishte që të zhdukeshim, dështoi ai. Projekti ishte të na i grabisnin zgjedhjet duke përdorur miliarda e miliarda. Ua zumë në fyt. I kapëm me presh në dorë. Tani dakin aferat e tyre të paimagjinueshme dhe thonë: jo, nuk pranojmë heqje imuniteti. Jo, nuk do të shkojmë para gjykatësit. Atëherë, ose gjykatësin e ligjit, ose gjykatësin popull, njërin nga të dy, Edi Rama shpresë nuk ke më. Jo.

Mos harro se, ky popull opozitar është populli më qëndrestar në Europë, është populli më qendrestar që mund të bëhet dhe nuk e ka për asgjë, absolutisht.

Ne nuk u zhdukëm. Shqiptarët nuk pranuan që ne të zhdukeshim. Na mbrojtën, sepse ne kemi mbrojtur vlerat e tyre. Në historinë tonë 35-vjeçare demokratët janë hedhur mbi tanke në Elbasan dhe në Tiranë. Janë zvarritur me kamion në Borsh dhe vende tjera, janl keqtrajtuar si kafshë, por në asnjë rast nuk pranuan dhunën si armë, por qendruan me qëndresën e tyre paqësore dhe fituan në të gjitha rastet kur ata u betuan: ja vdekje, ja liri! Kjo është forca jonë. Ndaj, miqtë e mi, kemi një trashëgimi mahnitëse, të mrekullueshme.

Tani, një armë që nuk kemi përdorur, protestën e vazhdueshme, atë do ta përdorim për të rrëzuar diktaturën. Askush të mos mendojë se protesta e vazhdueshme nuk do ketë rezultatin e vet. Jo, do ketë rezultat të shkëlqyer. Dhe ju garantoj unë ju, prova jonë, testi ynë është të fillojmë kë kohën e duhur protestën e përnatshme në sheshin e Tiranës dhe ata do ia mbathin si minj. Asgjë nuk i reziston dot qëndresës qyterae, forcës së opozitës.

Të fundit