Flash News

Ditari i Opozitës

Berisha paralajmëron: Rama po kërcënon integrimin në BE për të mbrojtur veten dhe Ballukun

Berisha paralajmëron: Rama po kërcënon integrimin në BE

Kryedemokrati Sali Berisha ka dalë sot me akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se po kërcënon procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian për të mbrojtur veten dhe ministrin e Infrastrukturës, Lubi Balluku.

Sipas tij, Rama vepron në kundërshtim me të gjitha zotimet që rrjedhin nga procesi i integrimit dhe është i gatshëm të bllokojë plotësisht këtë proces për të shmangur përgjegjësitë e tij për krime të rënda që dyshohet se ka kryer.

Berisha paralajmëron se mosheqja e imunitetit të Ballukut është një strategji e qartë për të shpëtuar veten, duke shtuar se gjithçka ka dalë tashmë në dritën e diellit për implikimin e tij dhe të afërmve të tij në aferat e AKSHI-t.

Ai shtoi se përpjekjet e kryeministrit janë një “përpëlitje” për të mbrojtur veten dhe aleatët e tij, duke cituar se informacionet për implikimin e Ramës janë të njohura tashmë edhe në dy përfaqësi kryesore të Evropës dhe botës.

PJESE NGA DEKLARATA

Sot jam këtu për të denoncuar kërcënimin madhor që Edi Rama dhe mafia e rrezikshme që qëndron prapa tij, në qeveria, parlament dhe institucione të tjera, po kërcënojnë në mënyrën më të egër procesin më jetik të shqiptarëve, procesin e integrimit në BE.
Lajmet që vijnë nga kancelaritë evropiane, por edhe nga Brukseli, dëshmojnë se Edi Rama është në rreth të kuq.
Se Edi Rama në kundërshtim flagrant me të gjitha zotimet që rrjedhin nga procesi i integrimit, po fakton se ai për interesa të pushtetit të tij, për të mbrojtur veten nga krimet e rënda që ka kryer, është i aftë të marrë çdo vendim pavarësisht se bllokon plotësisht procesin e integrimit në BE.
Burime shumë serioze informojnë se për diskutimet e gjera që po zhvillohen në kancelaritë evropiane dhe në BE, në të cilat nuk përjashtohet edhe opsioni i zhbërjes së plotë të procesit të integrimit në BE për shkak të këtyre qëndrimeve antikushtetuese, antidemokratike, antiligjore që mban Edi Rama në rastin e dosjes së tij, por në aparencë Ballukut dhe AKSHI-t.
Unë kam paralajmëruar dhe paralajmëroj prapë shqiptarët se marrja në dorë e fatit tonë është rruga e vetme pasi Edi Rama, absolutisht nuk do të pranojë kurrë t’i heqë imunitetin Lubi Balluku, pasi e di se së bashku me të në bankën e të akuzuarit është i detyruar të ulet edhe ai vetë.
Ai e di mirë se jo në një, por në dy përfaqësi kryesore të Europës dhe të botës, Gerond Meçe ka dhënë çdo detaj të implikimit direkt të Edi Ramës, baxhanakut dhe Lindës në aferat e AKSHI-t.
Edi Rama e di mirë se tashmë gjithçka ka dalë në dritën e diellit, se ai nuk është gjë tjetër veçse një Ergys Agas.
Ndaj dhe përpëlitet në këtë mënyrë.

Të fundit