Flash News

Ditari i Opozitës

Berisha për amnistinë fiskale: Rama po sfidon komunitetin ndërkombëtar, kjo është thirrja për deputetët

Berisha për amnistinë fiskale: Rama po sfidon komunitetin

Kryedemokrati Sali Berisha ka dalë në një deklaratë për mediat, pasi kryeministri Edi Rama tha se nuk do të tërhiqet nga amnistia fiskale.

Kjo nismë është kritikuar nga vendasit dhe ndërkombëtarët me argumentin se nxit pastrimin e parave të pista.

Berisha tha se me qëndrimin e tij, Rama po sfidon shqiptarët dhe ndërkombëtarët, duke i shërbyer krimit.

“Edi Rama u servir shqiptarëve çdo ditë, në qëndrime, vendime dhe ligje, interesat e krimit, mafias dhe të klanit të tij personal. Duke bërë avokatinë e këtyre interesave, Edi Rama vret çdo ditë shpresën e shqiptarëve, errëson dritën në të ardhmen e tyre dhe për të ardhmen e tyre.

Në kundërshtim flagrant me interesa të çdo qytetari shqiptar, dhe për llogari të klanit të tij mafioz dhe të krimit të organizuar shqiptar, ai sfidon çdo shqiptar dhe mbarë komunitetin ndërkombëtar me projektin e amnistisë fiskale, çka do të thotë një mbështetje e fuqishme e organizatave kriminale shqiptare, jo vetëm në Shqipëri, por në mbarë botën”, tha Berisha.

Ky i fundit nënvizoi se nisma e Ramës do të dëmtgojë garën hapur dhe të ndershme.

“Me këtë rast, dënoj me forcën më të madhe këtë projekt me të cilin Edi Rama, për interesa të klanit të tij mafioz kërkon të kriminalizojë ekonominë shqiptare, kërkon të rrënojë të gjitha efektet e garës së hapur dhe të ndershme, kërkon të godasë ata, të cilët kanë ndërtuar bizneset jo mbi krimin, drogën, vrasjet, trafiqet, por mbi mendjen, djersën, ndershmërinë dhe integritetin e tyre”, shtoi lideri i opozitës.

Berisha iu bëri thirrje deputetëve që ta rrëzojnë këtë nismë, duke e konsideruar një akt kriminal votimin e amnistisë fiskale.

“Çdo deputet që merr përsipër të votojë një akt të tillë kriminal, direkt apo indirekt bëhet anëtar i një organizate kriminale që Europa nuk e ka parë ndonjëherë. Ndaj dhe thirrja ime është: për çdo parlamentar, të hedhë poshtë me përçmim dhe neveri, si tepër të rrezikshëm për sigurinë e vendit, për të ardhmen e Shqipërisë, projektin famëzi të amnistisë fiskale të Edi Ramës dhe klanit të tij mafioz”, shtoi Berisha.

Të fundit