Flash News

Ditari i Opozitës

Berisha: Përmbytjet janë të shkaktuara nga korrupsioni, do i dëmshpërblejmë të gjithë banorët kur të vijmë në pushtet

Berisha: Përmbytjet janë të shkaktuara nga korrupsioni, do i

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, deklaroi se situata e përmbytjeve në vend është pasojë direkte e korrupsionit dhe keqmenaxhimit të qeverisë, duke theksuar se bëhet fjalë për përmbytje “të prodhuara nga dora e njeriut” dhe jo nga reshjet e shiut.

Gjatë fjalës së tij, Berisha u ndal te ultësira e Durrësit, ku sipas tij dy hidrovorë dhe kanalet kryesore që mbrojnë zonën kanë qenë jashtë funksioni. Ai akuzoi se në hidrovorin e Hamallës janë vjedhur tre pompa të fuqishme dhe motorët e tyre, ndërsa askush nuk është mbajtur përgjegjës, pavarësisht se punonjësit kanë vijuar të marrin pagat.

Berisha kritikoi edhe mënyrën e funksionimit të hidrovorit të Porto Romanos, duke thënë se ai është vendosur në mënyrë të gabuar dhe kriminale, në një terren më të lartë se pika e duhur, ndërsa nga nëntë porta, gjysma nuk funksionojnë.

Ai hodhi poshtë akuzat e qeverisë ndaj qytetarëve, se përmbytjet janë shkaktuar nga mbetjet në kanale, duke theksuar se nga taksat e qytetarëve janë shpenzuar mbi 40 milionë euro për pastrimin dhe mirëmbajtjen e tyre, fonde që sipas tij kanë përfunduar në xhepat e zyrtarëve të korruptuar.

“Shteti ekziston vetëm në letra dhe në drogë, ndërsa përgjegjësinë ia faturon qytetarëve”, u shpreh Berisha, duke akuzuar kryeministrin për cinizëm dhe për shmangie të përgjegjësisë ligjore, pasi sipas tij, qeveria nuk shpalli gjendjen e emergjencës për të mos kompensuar dëmet.

Kreu i PD-së përgëzoi deputetët e opozitës për solidaritetin me banorët e përmbytur dhe theksoi se Partia Demokratike ka nisur një inventar të dëmeve, brenda mundësive që ka.

 

Të fundit