Flash News

Ditari i Opozitës

Berisha publikon të dhëna të reja: Sistemi i patronazhimit është përsosur dhe institucionalizuar nga qeveria Rama

Berisha publikon të dhëna të reja: Sistemi i patronazhimit

Kryedemokrati Sali Berisha ka rikthyer sot në vëmendje akuzat për përdorimin e sistemit të patronazhimit nga Partia Socialiste, duke e cilësuar atë “një mekanizëm kriminal, antikushtetues dhe antiligjor” që ka shkatërruar procesin zgjedhor në vend.

Në një deklaratë për mediat, Berisha u ndal veçanërisht tek zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025, ku sipas tij, “PS e transformoi patronazhimin në një rrjet të strukturuar e të institucionalizuar kontrolli politik, duke futur mbikëqyrjen dhe shantazhin brenda institucioneve shtetërore”.

Sipas tij, nëpunësit civilë u kthyen në instrumente presioni ndaj qytetarëve, duke u përdorur të dhëna personale sensitive, shërbime publike dhe sigurinë e vendit të punës për të ndikuar sjelljen elektorale. Ai theksoi se sistemi është përdorur jo vetëm brenda vendit, por edhe në diasporë.

"Pavarësisht kritikave ndërkombëtare (nga Misionet e OSBE/ODIHR, Këshilli i Europës, Parlamenti Europian), nuk u ndërmor asnjë reformë apo hetim real nga Altin Dumani për përdorimin e sistemit të patronazhimit nga ana e partisë së krimit, Partisë Socialiste. Përkundrazi, qeveria e zgjeroi më tej këtë sistem. Ministritë, bashkitë dhe ndërmarrjet shtetërore u shndërruan në seli elektorale, ndërsa nëpunësit civilë u përdorën si kontrollorë votash. Të dhënat vijuan të mblidheshin përmes platformave të drejtuara nga qeveria", tha Berisha.

Berisha solli në kujtesë rrjedhjen e vitit 2021, kur në media u publikuan të dhëna për mbi 910 mijë qytetarë, ku secili kishte të caktuar një “patronazhist”, kryesisht punonjës të administratës. Sipas Berishës, ministritë, bashkitë dhe ndërmarrjet shtetërore u kthyen në seli elektorale.

"Sistemi i patronazhimit, i denoncuar në mënyrë të hapur, të përsëritur nga vëzhguesit ndërkombëtare, vjen në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe ndarjen e pushteteve. Vjen në kundërshtim me kodin elektoral dhe ligjet e tjera të vendit. Vjen në kundërshtim flagrant me Kartën e Kopenhagenit për zgjedhjet e lira, direktivat e KiE, Kodin e Venecias.

Sistemi i patronazhimit nënkupton përdorimin nga partia shtet të të gjitha resurseve njerëzore që me ligj dhe Kushtetutë që duhet të jenë neutrale në zgjedhje, pra shndërrimin e institucioneve shtetërore në institucione elektorale dhe punonjësve të këtyre institucioneve në operatorë elektoralë.

Në zgjedhjet parlamentare të 11 Maj 2025, Partia Socialiste e transformoi sistemin e patronazhimit në një rrjet të strukturuar dhe të institucionalizuar kontrolli politik. PS e futi mbikëqyrjen dhe shantazhin brenda institucioneve shtetërore. Nëpunësit civilë u shndërruan në instrumente presioni ndaj qytetarëve. Duke keqpërdorur të dhëna personale sensitive, shërbime publike dhe sigurinë e vendit të punës për të ndikuar sjelljen elektorale. Sistemi i Patronazhimit u përdor si brenda vendit, ashtu edhe në diasporë", deklaroi Berisha.

Të fundit