Flash News

Ditari i Opozitës

Berisha: Rama ka bërë gjenocid ndaj shqiptarëve, krijoi një perandori frike

Berisha: Rama ka bërë gjenocid ndaj shqiptarëve, krijoi një

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka deklaruar se në Shqipëri nuk ka zgjedhje të lira.

I ftuar në podcastin “Inside Albania” në Euronews Abania, Berisha tha se e gjitha është një fasadë. Kreu i demokratëve shtoi se Rama ka bërë gjenocid ndaj shqiptarëve, duke i spastruar.

Berisha foli edhe për një pjesë të programit të PD nga minimumi jetik tek çmimet e larta.

Berisha: Së pari, në Shqipëri nuk ka zgjedhje. Është një farsë zgjedhore dhe kjo është e pranuar botërisht. Nëse lexoni rezolutat e çdo partie të qendrës së djathtë, ato thonë se zgjedhjet në Shqipëri janë fasadë. Kjo është e vërteta. Së dyti, Edi Rama ka bërë gjenocid ndaj shqiptarëve, duke i spastruar me metoda të përllogaritura. Në 2015, sipas statistikave zyrtare, ai arrestoi 38 mijë shqiptarë, më shumë se kudo tjetër në rajon. Përse? Për çështje civile, për fatura të energjisë elektrike dhe ujit. Ai krijoi një perandori frike. Ai shkatërroi dhjetëra mijëra biznese të vogla dhe shtëpi, duke i lënë njerëzit në qiell të hapur, pa mënyra të tjera jetese. Së treti, ai ka vijuar politikën e varfërimit të shqiptarëve. Si mund të jetojë një pensionist me 160 euro? Çmimet në Shqipëri janë më të larta se në Itali, për ushqime, më të larta se në Greqi dhe Gjermani. Çdo gjë. Ai nuk ju ka lënë një alternativë njerëzve përveçse të largohen nga Shqipëria. Një publicist dhe gazetar gjerman ka shkruar që Edi Rama është kryeministri më i mirë i Serbisë pas Paniç.

Ne po hartojmë një program të bazuar në nevojat kryesore ekonomike të njerëzve. Premtojmë minimumin jetik për çdo qytetar. Premtojmë 500 euro rrogë minimale. Premtojmë dhe do të realizojmë 1200 euro rrogë mesatare. Premtojmë ulje drastike të faturave të energjisë dhe ujit për personat me të ardhura të ulëta. Rama e ka siguruar mandatin duke përdorur makinerinë e blerjes së votave dhe përfrikësimit të njerëzve. Këto janë dy shtyllat mbi të cilat ai siguron votat. Ne jemi të angazhuar në mosbindje civile dhe po përgatitemi për zgjedhjet. Jemi optimistë.

Të fundit