Flash News

Ditari i Opozitës

Berisha: Rama po zhduk provat, kërkoj largimin e tij dhe mobilizim qytetar më 24 janar

Berisha: Rama po zhduk provat, kërkoj largimin e tij dhe mobilizim qytetar

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi qeverinë se po shkatërron në mënyrë të vazhdueshme prova dhe dokumente që, sipas tij, implikojnë kryeministrin Edi Rama dhe zëvendëskryeministren Belinda Balluku në afera të rënda korruptive.

Gjatë një konference për mediat në selinë blu, Berisha deklaroi se po vihet në lëvizje një mekanizëm i organizuar për manipulimin e dëshmive dhe për intimidimin e punonjësve të administratës publike, të cilët, sipas tij, po thirren dhe ushtrohet presion ndaj tyre për të ndryshuar ose për të mos dhënë dëshmi.

Ai denoncoi gjithashtu presione të forta ndaj Gjykatës Kushtetuese, duke paralajmëruar se vendi ndodhet përballë një rreziku serioz për rendin demokratik dhe funksionimin e drejtësisë.

“Për të mbrojtur veten dhe aferat e tij, Edi Rama po e çon vendin drejt një asgjësimi faktik të drejtësisë”, u shpreh Berisha, duke e cilësuar kryeministrin si një rrezik për vendin dhe stabilitetin rajonal.

PJESE NGA DEKLARATA

Makineria e manipulimit dhe e shkatërrimit të provave dhe dokumenteve që fajësojnë inkriminimin e plotë dhe total të Edi Ramës, Lubi Ballukut dhe bashkëpunëtorëve të tyre në një seri aferash shumë të rënda, që shkojnë në miliarda euro vjedhje të taksapaguesve shqiptarë, vazhdon pa ndërprerje.

Ndërkohë intimidohen dhe thirren si në zyra të policisë sekrete punonjës të administratës, të cilët ose duhet të ndryshojnë dëshmitë e tyre ose nuk duhet të dëshmojnë apo të thonë ato që porositen.

Presion i jashtëzakonshëm bëhet mbi Gjykatën Kushtetuese.

Pra, Edi Rama për të mbrojtur veten e tij, krimet e tij, po shkon drejt grushtit të shtetit, asgjësimit de facto të drejtësisë në Shqipëri.

Duke dënuar me forcën më të madhe këto qëndrime të papërgjegjshme, i kërkoj atij dorëheqjen dhe largimin e tij nga posti i kryeministrit.

Ai është sot njeriu më i rrezikshëm për shqiptarët, dhe jo vetëm për shqiptarët, por me lidhjet e tij të krimit ai përbën një rrezik të madh për rajonin dhe më gjerë.

PD u bën thirrje shqiptarëve, sot më shumë se kurrë të flasin me zemërimin e tyre, të flasin me guximin e tyre, të flasin me ndjenjat e dashurisë së tyre për këtë vend dhe të ardhmen e shqiptarëve me datën 24 janar në protestën kombëtare të thirrur nga opozita për këtë qëllim.

 

Të fundit