Flash News

Ditari i Opozitës

Berisha rreshton arsyet: Ja pse shkatërrimet nga zjarret këtë vit janë një krim i vërtetë shtetëror

Berisha rreshton arsyet: Ja pse shkatërrimet nga zjarret këtë vit

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka folur në lidhje me situatën e zjarreve në vend, ku u shkrumbuan dhjetëra hektarë tokë dhe banesa e bagëti. 

Në një deklaratë për mediat Berisha e ka cilësuar situatën si një krim shtetëror, sipas tij për shkak të korrupsionit, vjedhjes dhe indiferencës nga qeveria. 

Berisha thotë se Shqipëria u gjen e papërgatitur përballë situatës dhe pësoi djegie me përmasa dy deri në tre herë më të mëdha se të gjitha vendet e rajonit.

Pjesë nga fjala e Berishës

Sot jam para medieve për të denoncuar si një krim të vërtetë shtetëror zjarret, flakët dhe djegiet e mbi 54 mijë hektarë ullishte, kopshte, bahçe, pyje.

Djegien e qindra banesave në fshatrat e Gramshit, Delvinës dhe në një seri zonash të tjera.
Djegien e qindra dhe mijëra bagëtive, pa llogaritur këtu kafshët e egra dhe rrafshimin e të gjithë florës dhe faunës në këto zona.

Djegien e qindra mijëra koshereve të bletëve.
Shqipëria, zjarre të tilla shkatërrimtarë nuk ka njohur ndonjëherë.
Pati viktima, pati të djegur të plagosur. Shqiptarët u ndjenë më të braktisur se kurrë.

Me këtë rast, dënoj me forcën më të madhe të gjithë ata individë të cilët kryen krimin e shëmtuar të zjarrvënies dhe ata meritojnë ndëshkimin ligjor më të madh.

Shpreh solidaritetin tim të madh për të gjithë të dëmtuarit, viktimat, të plagosurit dhe ata qindra e mijëra familje fermerësh, fshatarësh që humbën gjithçka kishin për shkak të zjarreve.
Por dënoj si një krim shtetëror propagandën e neveritshme, mashtruese të narkoqeverisë, e cila bënte fjalë për dhjetëra mijëra forca të angazhuara, në një kohë kur nga fushë beteja, gazetarët informonin se atje numëroheshin me gishtërinjtë e duarve zjarrfikësit apo forcat e tjera në shuarjen e zjarreve.
Por sot, unë jam këtu për të qartësuar shqiptarët se pse shkatërrimet e zjarreve këtë vit janë një krim i vërtetë shtetëror.

Janë një krim shtetëror për arsye se në mënyrë të papërgjegjshme për shkak të korrupsionit, vjedhjes, indiferencës dhe injorancës, Shqipëria u gjet e çarmatosur tërësisht nga mjetet antizjarr.
Shqipëria pësoi zjarre dhe djegie me përmasa dy gjer në tre herë më të mëdha se të gjitha vendet e rajonit. Dhe jo se zjarret nuk shpërthyen në të gjithë rajonin, por çdo vend ishte shumë, shumë më i përgatitur se Shqipëria në betejën kundër zjarreve.
Në tërësi, sistemi i zjarrfikëseve, i vjetër, i trashëguar nga 15-20 vite më parë, i dorëzuar tek bashkitë socialiste, u tregua i ndryshkur dhe dizfunksional.

Të fundit