Flash News


Ditari i Opozitës

Berisha thirrje FBI-së: Hetoni Yuri Kim dhe lidhjet e saj me McGonigal

Berisha thirrje FBI-së: Hetoni Yuri Kim dhe lidhjet e saj me McGonigal

Lideri i opozitës, Sali Berisha i ka bërë thirrje FBI-së që të hetojë ambasadoren Yuri Kim. Berisha e konsideron të papranueshëm faktin që kryediplomatja nuk ka reaguar për skandalin ku është përfshirë Edi Rama dhe që cënon raportet midis dy vendeve.

Ai tha se shqiptarët presin një reagim nga Kim, ndërsa ngriti pyetjes se çfarë interesash përfaqëson numri në një i SHBA-së në Shqipëri. Më tej, Berisha hodhi edhe disa akuza ndaj Yuri Kim.

“Kodi i heshtjes po zbatohet edhe nga guvernatorja, e cila nuk ka lënë gjë pa komentuar. Tani për një ngjarje që ka tronditur thellë botën, nuk shqipëron një fjalë të vetme. Si është e mundur kjo? Çfarë interesash përfaqëson guvernatorja? A mund të shpjegojë kush? A ka shqiptar që nuk pret një reagim të saj për këtë ngjarje?

Në llojin e saj, guvernatorja është një McGonigal, ndaj të cilës janë shumë akuza për të gjitha format e korrupsionit.

Nëse McGonigal nisi me manipulimet me dosjen ruse, guvernatorja vazhdoi veprën e saj me shpifje, me sulme, duke dëshmuar se nuk ka asnjë parim, asnjë vlerë.

Duke rendur nga studio në studio, nga zyra në zyrë, me qëllimin e vetëm të shkatërronte opozitën.

Nuk është kjo që e bën të aplikojë kodin e heshtjes. Ndaj u bëj thirrje FBI, agjencive të tjera të SHBA, të hetojnë se cilat kanë qenë qëndrimet e saj ndaj McGonigal. Ka informuar ajo vendin e vet për takimet që ai ka pasur, për veprimtarinë e tij, për vizitat e shpeshta në Shqipëri?

Ka informuar ajo për Deripaskën në Shqipëri, për kompanitë e tij që fryheshin si shushunja në Shqipëri, paçka se prej katër vitesh ishin nën sanksione të rrepta të SHBA? Ka pasur ajo dreka e darka me ekipin Rama-McGonigal. Këto dhe gjëra të tjera janë të rëndësishme për autoritetet e vendit mik për t’i shkuar deri në fund kësaj çështje”, deklaroi Berisha.

Të fundit