Flash News

Ditari i Opozitës

Berisha thirrje për protesta: Më 22 dhjetor, ora 18:00, nis qëndresa kundër Edi Ramës

Berisha thirrje për protesta: Më 22 dhjetor, ora 18:00, nis

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë thirrje për nisjen e protestave kundër qeverisë, duke deklaruar se kryeministri Edi Rama qëndron në pushtet për shkak të mungesës së reagimit qytetar.

Në një deklaratë drejtuar strukturave dhe mbështetësve të PD-së, Berisha theksoi se është momenti që qytetarët shqiptarë të marrin fatin e tyre në dorë dhe të nisin një qëndresë të vazhdueshme përmes protestave.

“Edi Rama qëndron në pushtet sepse ne nuk jemi në rrugë, sepse nuk kemi dalë në protesta për t’u treguar vendin diktaturave autoritare”, u shpreh Berisha.

Ai u bëri thirrje deputetëve dhe përfaqësuesve të opozitës që në takimet me qytetarët të mobilizojnë mbështetësit dhe të mos pranojnë, sipas tij, “verdiktin dhe fatin” e diktuar nga qeveria aktuale.

Berisha theksoi se protesta është e vetmja rrugë për largimin e kryeministrit, duke nënvizuar se pa protesta të forta dhe të qëndrueshme, regjimet autoritare nuk largohen.

Sipas Berishës, dita e hënë, 22 dhjetor, ora 18:00, shënon fillimin e protestës së opozitës, e cila sipas tij do të jetë një qëndresë e vazhdueshme kundër qeverisë.

Pjesë nga deklarata

Ne duhet të fillojmë qëndresën dhe protestat tona, të marrim fatin tonë në dorë, qytetarët shqiptarë të marrin fatin e tyre në dorë.

Thirrja ime për ju është secili të t'i shtrojë pyetjen vetes, çfarë mund të bëjë më shumë. Dhe çdonjëri prej neve mund të bëjë shumë më tepër.

Edi Rama qëndron në pushtet sepse ne nuk jemi në rrugë.

Sepse ne nuk jemi në protesta për t'i treguar vendin që u tregohet diktaturave autoritare.

Ne kemi tani çdo të drejtë të qëndrojmë në misionin tonë.

Të nderuar deputetë, është e domosdoshme që në takimet tuaja me qytetarët, t'u bëhet thirrje guximtarëve, t'u bëhet thirrje qëndrestarëve, t'u bëhet thirrje qytetarëve, të mos pranojmë verdiktin që na ka diktuar Edi Rama.

Me fjalë të tjera të mos pranojmë këtë fat që ai na ka diktuar. Nuk e meritojmë ne këtë.

Por të ngrihemi. Në këtë kuadër dita e hënë 22 dhjetor, ora 18:00, është fillimi i protestës sonë. Por duhet të jemi shumë të qartë, ne kemi vetëm një rrugë: protesta, protesta, protesta gjer në largimin e Edi Ramës.

Dhe pa protesta të qëndrueshme dhe të fuqishme, siç kanë faktuar narkodiktaturat apo diktaturat, ato nuk largohen.

Ne jemi shumë dhe do jemi shumë më tepër. Por në radhë të parë nuk ka më të rëndësishme sesa vendimi i secilit prej nesh, çfarë do bëjmë më shumë.

Faleminderit.

 

 

Të fundit