Flash News

Ditari i Opozitës

Berisha thirrje qytetarëve: Të bashkohemi sot në bulevardet e Tiranës, në një nga momentet më kritike të historisë sonë

Berisha thirrje qytetarëve: Të bashkohemi sot në bulevardet e
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u ka bërë thirrje qytetarëve që të bashkohen sot në bulevardet dhe rrugët e Tiranës, duke e cilësuar këtë ditë si një nga momentet më kritike të historisë së vendit.

Në një mesazh drejtuar qytetarëve, Berisha deklaroi se pak orë e ndajnë opozitën dhe shqiptarët nga ajo që ai e cilëson si “uragani i madh i shpresës dhe fitores”.

“Të dashur qytetare dhe qytetarë, pak orë na ndajnë nga uragani i madh i shpresës dhe fitores së opozitës dhe kombit shqiptar. Vij sot për t’ju drejtuar thirrjen time si shqiptari-shqiptarit, si qytetari-qytetarit, që të bashkohemi në bulevardet dhe rrugët e Tiranës, në një nga momentet më kritike të historisë tonë,” u shpreh Berisha.

Ai iu referua zhvillimeve të fundit në Bruksel, duke deklaruar se përfaqësuesit e vendeve kryesore të Bashkimit Europian janë përballur me kryeministrin Edi Rama, të cilin e akuzoi për korrupsion dhe për dëmtim të interesave jetike të Shqipërisë.

“Sot në Bruksel, përfaqësuesit e vendeve më të mëdha të Europës patën përpara njeriun që, për vjedhjet e tij dhe organizatës kriminale që drejton, është i gatshëm të shkelë interesat më jetike të Shqipërisë dhe shqiptarëve,” tha Berisha, duke shtuar se Rama ka marrë jo “kartonin e kuq”, por “kartonin e zi”.

Sipas tij, këto zhvillime rrezikojnë seriozisht rrugëtimin 32-vjeçar të Shqipërisë drejt Bashkimit Europian, ndërsa theksoi se “kupa e Edi Ramës është derdhur prej kohësh”.

Berisha u bëri thirrje qytetarëve që të jenë të pranishëm masivisht në protestë për të dhënë, sipas tij, një mesazh të qartë kundër asaj që e cilëson si “organizatë hajdutësh” dhe për të mbrojtur të ardhmen europiane të vendit.

“Prania jonë sot është mesazhi më dinjitoz që u përcjellim shqiptarëve kudo që janë, por edhe miqve tanë të vërtetë në BE, SHBA dhe kudo në botë,” përfundoi Berisha.

Të fundit