Flash News

Ditari i Opozitës

Berisha "zhvesh" kostumin e politikanit, flet në “Elevate”: Fëmijëria në Tropojë dhe vlerat që formësuan karakterin e tij

Berisha "zhvesh" kostumin e politikanit, flet në

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ishte i ftuar në emisionin “Elevate” me Floriana Garo, ku këtë herë la mënjanë diskursin politik dhe u ndal te rrënjët e tij personale, duke folur për fëmijërinë, familjen dhe vlerat me të cilat është rritur.

I pyetur për kujtimet nga fëmijëria në Tropojë dhe për nostalgjinë ndaj asaj periudhe, Berisha theksoi se vitet e hershme kanë pasur një ndikim vendimtar në formimin e karakterit të tij.

“Ndoshta është ajo stinë jete që ka përcaktuar jo pak. Është ai mjedis, ajo tërësi rrethanash që në një mënyrë apo një tjetër më kanë ndjekur gjithë jetën. Do ta quaja element thelbësor të karakterit tim”, u shpreh Berisha.

Ai tregoi se ka lindur në një familje të madhe patriarkale, si anëtari i 20-të i saj, në një kohë kur familja ende jetonte e bashkuar. Sipas Berishës, ndonëse familja nuk ishte e pasur, ajo kishte një gjendje ekonomike të qëndrueshme.

“Kam lindur në një familje jo të varfër, të mbëkëmbur, që kishte një çiflik jo të madh, por të mjaftueshëm”, tha ai.

Duke folur për mënyrën e jetesës dhe edukimin në atë kohë, Berisha vuri theksin te roli i fortë i kanunit në jetën e komunitetit.

“Jetonim në një traditë të diktuar nga një ligj i hekurt që ishte kanuni. Ai nuk përfshinte vetëm norma penale apo civile, por edhe vlera morale, duke qenë në një mënyrë parabetarja e edukimit të fëmijëve”, u shpreh Berisha.

Sipas tij, parime si besa, fjala e dhënë dhe përballja me rrezikun ishin pjesë e pandashme e kësaj tradite dhe kanë ndikuar drejtpërdrejt në mënyrën se si ai e ka kuptuar jetën dhe përgjegjësinë që në moshë të hershme.

Të fundit