Flash News

Ditari i Opozitës

Beteja Basha-Berisha, Mark Marku: PD është në fazë depresive, partia rrezikon ndarje  

Beteja Basha-Berisha, Mark Marku: PD është në fazë

Ish-deputeti i Partisë Demokratike Mark Marku ka komentuar atë se çfarë po ndodh aktualisht në selinë blu.

I ftuar në emisionin 'Opinion' në News 24, Mark Marku u shpreh se PD-ja ka hyrë në një fazë depresive ku gara e brendshme ka degraduar. Sipas Markut, situata për popullin që i beson opozitës nuk është shumë shpresdhënëse.

"Ajo që shikoj unë është se gara e brendshme ka degraduar në konceptim e lëvizjes së një partie për të ndryshuar partinë. Jemi në kuadrin e një lufte personale, e shkaktuar nga reagimet e zotit Berisha i cili për shkak se u godit po ndërmerr këto veprime. Kjo më jep të kuptoj që shqetësimi personal, po shfaq gjënë e vet më të keqe, sepse partia e tipit të liderit e kam kundërshtuar. Vetë anëtarësia e PD, por edhe e popullit opozitar është në një fazë depresive për shkak të humbjes. Kur situata nuk është shumë shpresëdhënëse ata besojnë ata që duan të besojnë. Njerëzit janë të dëshpëruar, kanë arsye që të jenë të pakënaqur," tha Marku.

Ish-deputeti thekson se beteja mes Bashës dhe Berishës mund ta çojë partinë në një ndarje. Rikthimi i Berishës në krye të PD-së për Markun, do të thotë regres. Nga ana tjetër, sipas tij, as Basha nuk po del me një vizion se si do të jetë opozita në 4 vitet e ardhshme.

"Unë dua që partia të mos të ndahet. Sepse ekziston një mundësi që kjo betejë të çojë në ndarjen e partisë, sepse asnjëra palë nuk heq dorë. Ekziston mundësia që të kthehet pas. Sepse Berisha ka pasur të mirat dhe të këqijat e veta si lider, por për moshën që ka, ai është konsumuar. Ai nuk ofron një gjë më shumë se ajo që ka qenë në të kaluarën. Rikthimi do të thotë regres nga pikëpamja politike. Basha s’po jep argumentet e duhura, s’po del në një vizon se si do të jetë PD dhe opozita në 4 vitet e ardhshme. Duhet të ketë një zhvillim traumatik, sepse nga krizat e mëdha mund të dalin gjëra të mira. Duhet të mendohet për ide se sa për individë. Edhe anëtarësia ta ketë këtë vetëdije se nga pëlqimi i tepërt mund të shkatërrojnë PD. Mundet që me veprimin dhe pasionet e tyre, që janë të ligjshme ta shkatërrojnë vetë strukturën ku janë," u shpreh Mark Marku.

 

Të fundit