Flash News

Ditari i Opozitës

“Bllokim të rrugëve, porteve, aeroportit?”, Bardhi për protestën e 7 tetorit: S’ përjashtohet asnjë prej skenarëve

“Bllokim të rrugëve, porteve, aeroportit?”, Bardhi

Ndërsa na ndajnë edhe tri ditë nga protesta kombëtare e 7 tetorit e thirrur nga PD, lidershipi demokrat duket se është hermetik për skenarët e saj. 

Detajet mungojnë, sepse demokratët nuk duan që qeveria të jetë e përgatitur për skenarët e protestës. Madje nënkryetari PD Gazment Bardhi beson se ky është një sekret i ruajtur mirë.

“Nuk besoj se Rama e di çfarë do të ndodhë, se po ta dinte zemërimin e qytetarëve nuk do të sillej në këtë formë me opozitën, me qytetarët. Është detyrë e PD t’i prijë këtij zemërimi. Ajo që mund të them me siguri është se çfarë po ndodh me demokracinë në vend, kërkon një reagim të fortë.

Ne kemi ftuar qytetarët, që të reagojnë për t’i dhënë mesazhin kryeministrit se atë që e kemi fituar 34 vite më parë nuk mund ta humbim lehtë”, - tha Bardhi në një intervistë për emisionin “Pa Censurë”, në RTSH.

E vetmja gjë e konfirmuar deri tani është se nuk do të ketë fjalime. Dhe, sipas historisë së përsëritur të demokratëve, kur nuk ka fjalime, ka veprime.

“Pretendoj një protestë masive dhe me njerëzit e duhur për ta vazhduar atë. Situata dikton një reagim të vazhdueshëm të qytetarëve për të ndryshuar këtë realitet.

Vendimi ynë politik është për protesta të qëndrueshme dhe të vazhdueshme. Por a ka në plan opozita që të bllokojë rrugët apo pika strategjike si portet dhe aeroportin? Zoti Bardhi la të hapur çdo veprim. “Ne nuk përjashtojmë asnjë prej këtyre skenarëve”, tha Gazment Bardhi , duke i dhënë një përgjigje jo shumë optimiste pyetjes, nëse krijimi i qeverisë teknike është apo jo një qëllim i arritshëm. 

“Është apo jo i arritshëm, kjo mbetet për t’u parë, por unë besoj se Shqipëria në vitin 2025 ka nevojë për të pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme.”

 

Të fundit