Flash News

Ditari i Opozitës

Boçi: Rama dhe Vuçiç luajnë “tango” politike, BE nuk lejon manovra jashtë strukturave

Boçi: Rama dhe Vuçiç luajnë “tango”

Deputeti demokrat Luçiano Boçi përshëndeti qëndrimin e Komisioneres Marta Kos ndaj editorialit të përbashkët Rama-Vuçiç, të cilët propozuan integrim të pjesshëm.

“Veprim për t’u përshëndetur, por jo personal i Marta Kos. Nuk lejon të veprohet jashtë strukturave të BE dhe projekteve ekonomike të BE”, tha Boçi.

I ftuar në studion e News24, Boçi tha se Rama dhe Vuçiç kanë luajtur së bashku një “tango” që i ka shërbyer të dyve, për të ruajtur pushtetin.

“Janë teza politike të ruajtjes së pushtetit të tyre përkatës. Vuçiç kërkon të ruajë pushtetin e tij dhe gjithashtu Rama, ka qenë tango e rakorduar, e luajtur shumë mirë, kanë marrë edhe përkëdhelje nga faktori i huaj, duke bërë edhe basketboll me njëri-tjetrin, duke bërë kosha dhe përgëzuar njëri-tjetrin. Ndaj kanë luajtur këtë tango, sepse janë në vështirësi. Tejkalojnë dhe qëndrimet e tyre personale, ndaj BE nuk mund të lejojë veprime të tilla dhe ka reaguar, sepse këto reagime i shërbejnë shëndoshjes ekonomike dhe politike të saj”, tha deputeti demokrat.

Boçi vuri në dukje edhe sinjalet që Perëndimi i ka dhënë Ramës, sidomos pas mbrojtjes politike ndaj Ballukut.

“Qëllimi i BE është anëtarësimi i vendeve dhe jo i atyre që drejtojnë vendet dhe bëjnë autokraci. Nuk është ky rast, por edhe të tjera, si Këshilli i Evropës ka qenë i ashpër ndaj Ramës për çështjen Balluku. Sinjale të forta që edhe Ramën po e çojnë drejt këtij imponimi”, tha Boçi.

Të fundit